Dy persona janë arrestuar nga policia ndërkohë që është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, pasi akuzohen se kanë marrë peng një person dhe e kanë dhunuar atë fizikisht në banesën e njërit prej tyre. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në Kashar, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 37-vjeçarit me inicialet Sh.K dhe 37-vjeçarit tjetër me inicialet D. Ç.
Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë marrë peng Sh. K., 31 vjeç dhe më pas e kanë dhunuar në banesën e njërës prej të arrestuarve për shkak të një borxhi. Nga hetimet ka rezultuar se pengmarrësi tjetër në momentin e ngjarjes ndodhej nën masën e sigurisë arrest shtëpie, të caktuar nga gjykata pasi ishte kapur me armë pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.