Drafti për Hartën e Re gjyqësore do t’i nënshtrohet një konsultimi të dytë publik. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se bashkë me Këshillin e Lartë Gjyqësor po punojnë për tu dhënë zgjidhje rekomandimeve të grupeve të interesit.
“Jemi në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor por edhe me partnerët që kanë dhënë ekspertizë në përgatitjen e hartës gjyqësore për të parë se sa mund të reflektohen sugjerimet e bëra gjatë këtyre fazave të konsultimit publik” – tha Manja.
Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit të personave me masa sigurie është kthyer në një problem për policinë, pasi ata që duhet të ishin në shtëpi shpesh-herë janë gjetur duke konsumuar vepra penale. Nga burgu i Drenovës Ministri Ulsi Manja tha se shumë shpejtë do të rikthehen byzylykët elektronikë. Si gjithë zyrtarët socialistë Manja shmangu përgjigjen kur u pyet për problemet me drejtësinë për shokët e partisë.
“Sigurisht që jemi në punë e sipër edhe shumë shpejt mbikëqyrja elektronike do të rikthehet. Është një ditë e bukur në Korçë dhe nuk mendoj se është gjetja e duhur që të jap përgjigje për zhurmën e politikës së Tiranës sot në Korçë” – tha Manja.