197 fëmijë janë vrarë dhe 351 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, bëhet me dije se shumica e viktimave janë shënuar në rajonet Donetsk, Kiev dhe Kharkiv.
Ndërkohë ditën e djeshme sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres publikoi një raport ku u shpreh se lufta në Ukrainë po rrit krizën për ushqim dhe energji në mbarë botën, me vendet më të varfra që tashmë po luftonin për t’u marrë me pandeminë Covid-19, ndryshimet klimatike dhe mungesën e qasjes në financimin e duhur për rimëkëmbjen ekonomike.
“Tani po përballemi me një stuhi të përsosur që kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim.”
Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, duke ardhur në krye të borxheve dërrmuese të shumë vendeve të varfra, mund të çojë në paqëndrueshmëri sociale dhe politike, raportoi Guterres.
Ai bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës në Ukrainë, heqjen e kufizimeve të eksportit, investimet në energjitë e rinovueshme dhe mbështetje financiare për vendet në zhvillim. Rusia është eksportuesi kryesor në botë i gazit natyror dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës ndërsa Rusia dhe Bjellorusia fqinje eksportojnë rreth 20 për qind të plehrave fertilizuese në botë.