Enkelejd Alibeaj ka njoftuar se ditën e nesërme do të mbledhë grupin parlamentar të kësaj force politike. Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 13:00 në selinë e Partisë Demokratike. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mblidhet në një kohë kur ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike, ndërsa Berisha si kreu i grupit të Rithemelimit është rikthyer në Partinë Demokratike pas vendimit të gjykatës.
Mbledhja do të zhvillohet në selinë blu, ku në fokus të diskutimeve do të ketë krizën brenda PD, ku pritet që përplasjet të jenë të forta mes deputetëve të Rithemelimit dhe ato që deri dje kishin mbështetur largimin e Berishës pas shpalljes së tij ‘non grata’ Në mbledhjen e së enjtes së kaluar grupi parlamentar zhvilloi një mbledhje të shkurtër vetëm 45 minuta ku nuk u arrit të flitej për krizën por vetëm për axhendën parlamentare. Nga ajo mbledhje palët dolën më të përçara ku Alibeaj tha se “Partinë s’mund ta drejtojë një ‘non grata”, por Berisha tha se “duhet pranuar realiteti”.
Pas vendimit të gjykatës së Tiranës për të regjistruar statutin e Berishës, komisioni i Rithemelimit ka marrë drejtimin e selisë blu, ndërsa Enkelejd Alibeaj e ka ankimuar këtë vendim.