Një punonjës policie mbeti i plagosur me armë gjatë një aksioni antkanabis në zonën e Memaliajt.
Policia e Shtetit bëri me dije se polici i dëmtuar me inicial A.H. u qëllua me armë gjahu nga një 21 vjeçar gjatë një aksioni për shkatërrimin e parcelave me kanabis në këtë zonë.
Policia ka çuar në pranga të riun Halil Shyti, si dhe babain e tij, Luan Shyti 47 vjeç. Forcat e rendit sekuestruan edhe dy armë gjahu pa leje. Gjatë aksionit, janë asgjësuar 1300 bimë kanabis.
“Të dy këta shtetas (babë dhe bir) u kapën në parcelat e mbjella me bimë narkotike në lagjen Llakaj, Krahës- Tepelenë. Në momentin që Shërbimet e policisë kanë shkuar për të asgjësuar bimët narkotike shtetasi Halil Shyti ka qëlluar me një armë gjahu teke të cilën e mbante pa leje në drejtim të punonjësve të policisë,ku ka mbetur i dëmtuar punonjësi i policisë A.H.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u konstatuan dhe u asgjësuan 1300 bimë narkotike kanabis Sattiva. Gjithashtu u konstatua dhe një kabëll me anë të të cilit vidhej energji elektrike, si dhe nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet dhe një armë gjahu tjetër pa leje”, sqaron policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.