Për 4 vite rresht, Noma, restoranti i tij në Kopenhagen u shpall kuzhina më e mirë e rruzullit tokësor Të jesh shqiptar, ashtu si neve na pëlqen të identifikohemi me origjinën arbërore, është krenari për çdokënd këtyre trojeve. Të jesh nordik, me origjinë vikinge, gjithashtu përbën krenari për popujt e atyre vendeve. Në të dyja rastet, origjina tregon histori, qëndrueshmëri, karakter të ashpër por të jashtëzakonshëm për të mbijetuar nëpërmjet virtyteve, si dhe plot figura të shquara të nxjerra në shekuj. Po sikur të jesh trashëgimtar i të dyja botëve njëherësh? Atëherë mund të jesh kuzhinieri më i mirë i planetit. Ky, në fakt, është rrugëtimi i Rene Rexhepit, djalit me nënë daneze të emigrantit shqiptar nga Tetova. Që të tregohemi më të saktë, jo thjesht rrugëtimi. Jo thjesht historia pasive e jetës, nëpër të cilën çdokush mbase është paracaktuar të kalojë. 19 vite më parë, kur Rene Rexhepi në moshën 15 vjeçare braktisi gjimnazin si pasojë e rezultateve jo shumë të mira, me shumë gjasa do t’I ishte dukur po aq fantazi sa trilogjia e “Zotit të Unazave” fakti që 19 vite më vonë, do ta ftonin në Universitetin e Yale-s për të dhënë leksion mbi artin dhe mjeshtërinë e gatimit. Ai as që e kishte ëndërruar faktin që për 4 vite rresht, Noma, restoranti i tij në Kopenhagen do të shpallej kuzhina më e mirë e rruzullit tokësor. Vetë Rexhepi e përshkruan kështu rrugëtim e tij përmes gjithë sagës së lodhshme të gatimit. “Për mua gatimi është diçka plotësisht transparente dhe pa shtirje. Gatimi është i ndershëm dhe fisnik. Gatimi ka brenda vetes vërtetësi dhe origjinalitet.” Këto fjalë i tha për gatimin, e megjithatë, kushdo po të shohë rrugëtimin e 38 vjeçarit, do të kuptojë që nuk gjen fjalë më të goditura për të karakterizuar personalitetin e Rexhepit. Rene Rexhepi, në 2012-ën, u klasifikua nga revista Time, i njëmbëdhjeti ndër njëqind njerëzit më influencues në botë për atë vit. E thënë thjesht, në renditje, ishte përpara Presidentit të ShBA-ve, përpara Kancelares Merkel dhe shumë figurave të tjera me pushtet. Po si shpjegohet që një kuzhinier të arrijë përmasa të tilla fame? Në dy artikuj të The Guardian, Rexhepi shpjegon se në fillimet e veta, aso kohe kur sapo kishte lënë shkollën dhe ishte futur në akademinë e kuzhinës apo edhe më pas, si ndihmës kuzhinier nëpër restorantet Michelin të Kopenhagenit, mendonte se zanati i tij do mbetej gjithë jetën “një punë krahu”, shumë larg prestigjit të profesioneve me kostume e zyra. Por, në harkun e një dekade e gjysmë, ai e gjeti veten duke shtrënguar duar presidentësh, të cilëve në fakt, ua kishte kaluar për nga ndikimi. Pesë janë gjërat të cilat, Rene Rexhepi, nuk i harron asnjë cast të vetëm nga program i tij i ngjeshur prej 90 orësh pune në javë; Shija e mirë, larmia e ushqimit, ushqimi i shëndetshëm, shëndeti i njeriut dhe lumturia e tij janë shtyllat e Nomas dhe madje së pari, shtyllat e vetë jetës së Rexhepit. Le të vazhdojmë shkurtimisht jetëshkrimin e tij, për t’iu rikthyer më thellë botëkuptimit fin që Rene Rexhepi mbart në idetë e veta mbi ushqimin. Rene Rexhepi në mjediset ku do të ndërtohet Noma e re në Kopenhagen Filozofia e një suksesi Pavarësisht se Mr Barber, një kuzhinier i famshëm thotë që: “Kuzhinierët duhet të mësohen të punojnë me atë që prodhon toka”, Rexhepi nuk është në çdo rast dakord me këtë. Krahas restorant Noma-s, shqiptaro-danezi më i famshëm në botë, ka themeluar MAD, një institut kërkimi mbi çështjet e ushqimit. Rene Rexhepi mendon se mënyra sesi ne ushqehemi ndikon në mënyrën sesi ne mendojmë dhe veprojmë në shoqërinë tonë. “Nuk ka konflikt mes një të ushqyeri më të mirë dhe një bote më të mirë” është titulli i një tjetër artikulli në The Guardian ku Rexhepi flet mbi përvojën e tij me restorant Noma-n gjatë një dekade, një risi në botën e shijeve. MAD-i përbëhet nga një staf i kualifikuar, jo vetëm në fushën e kulinarisë, por edhe në kërkimet biologjike dhe ato kulturore. MAD nuk ka thjesht qëllim të promovojë gastronominë më të mirë, por të kuptojë natyrën e ushqimit që do ta bënte njeriun më harmonik me veten dhe shoqërinë. MAD ka për qëllim të kultivojë lloje të veçanta, të rralla pse jo dhe të reja asortimentesh biologjike (natyrore) që do të ishin më të shijshme dhe më të shëndetshme njëkohësisht. Rexhepi e konsideron veten si dikush, puna e të cilit është t’i bëjë njerëzit të lumtur. Qëllimi i tij në jetë është të krijojë përmbajtje. MAD është laboratori i ideve të tij. Restoranti Noma është materializimi i ideve të tij. Jo më kot MAD, ka qenë pionier në prodhimin e recetave me bimë të rralla, në metodat e ndryshme të fermentimit dhe në ushqimet antioksidante. “Aty diskutohet si të krijohen zgjidhje apo receta të reja për problemet, nevojat, shijet apo mentalitetet e reja”,- thotë Rene Rexhepi. Përpjekja për të kuruar masivizimin e të ushqyerit Ndikimi i Rene Rexhepit në arenën globale është pasojë e përpjekjes së tij për të kuruar një problem të madh të globalizimit modern: dukurinë e masivizimit të të ushqyerit nëpërmjet industrializimit të tij. Ky është një problem, të cilin për ta kuptuar, nuk kemi nevojë të shkojmë më larg se supermarketi poshtë shtëpisë sonë. Marka ushqimore të prodhuara me planifikim në seri përmes politikave fiskale dhe të marketingut. Ndodh që produkti që gjendet brenda ambalazhit apo arkës, është subjekt i dyshimit tonë mbi të qenit apo jo i sigurt dhe shëndetshëm. Shpesh, konstatojmë mungesë larmishmërie në produktet ushqimore, e cila krijon kulturën masive të të konsumuarit vetëm të një profili ushqimesh (dhe kryesisht produkte te lidhura me mishin), në një kontigjent apo në një numër shoqërish, kulturalisht të ngjashme. i gjithë ky cikël industrial konsumi përbën një problem të madh në këndvështrimin e Rexhepit. “Shekullin e kaluar, ky lloj prodhim-konsumi ushqimor ka çuar drejt zhdukjes shumë specie të nevojshme për njeriun. Kjo është edhe arsyeja pse sot është kaq e vështirë ta gjejmë domaten apo kastravecin me shijen që kanë pasur dikur”, shton Rexhepi. Një fermë urbane? Plani i ardhshëm i kuzhinierit më të mirë të botës – faktikisht ëndrra e tij -është shndërrimi i restorantit Noma në një fermë urbane. Kjo është një risi, që i kalon kufijtë e kontinentit të vjetër e madje, kapërcen përtej Atlantikut. “Do të jetë një fermë urbane që me siguri do të kultivojë gjithçka që klientët të vazhdojë t’i bëjë të lumtur.” Ashtu si Rexhepi e shpjegon vizionin e tij, në dimër, do të kultivohen dhe shërbehen vetëm produkte deti të shoqëruara me ato pak bimë që i qëndrojnë kohës, ndërsa në stinët e ngrohta, larmia më e madhe e produkteve bimore që një i apasinuar pas gatimit mund të gjejë. Ai duket më i vendosur se kurrë në realizimin e këtij projekti, i cili nis në fillim të vitit 2017. Sigurisht që përfundimi racional në kësi rastesh do të ishte këshilla profesionale e Rexhepit për konsum sa më të madh produktesh bimore dhe shmangie nga përdorimi i shpeshtë i mishit. Por si një histori sukesi me rrënjë arbërore, më e rëndësishme se kjo është pohimi i vetë Rexhepit: “Suksesi që kam nuk do të kishte ardhur po të mos kisha këtë origjinë brenda meje. Të qenit ndryshe kulturalisht, të bën t’i shohësh gjërat ndryshe!” / Egon Loli/ Agroweb.org
U thirr në SPAK dy ditë më parë, deputeti socialist Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin
Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit, dy ditë pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme....