Qeveria përfundoi projektligjin për faljen e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave. Përfitues të amnistisë do të jenë drejtuesit e makinave dhe bizneset që kanë detyrime të papaguara në tatime dhe dogana.
Ministria e Financave zbardh të plotë draftin e hartuar, që fal pa kushte 400 milionë dollarë detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa.
Zbatimi i amnistisë sipas draftit do të shtrihet në dy periudha, falja pa kushte për detyrimet e krijuara para 2011 dhe falja me kushte për detyrimet pas 1 janarit 2012.
MAKINAT
Amnistia përfshin çregjistrimin e makinave dhe shuarjen e detyrimeve të papaguara, për të cilat nuk janë kryer asnjë veprim deri në dhjetor 2011. Për mjetet pas janarit 2012 do të falen gjobat, në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore. Sipas relacionit, përfitojnë 100 mijë drejtues të automjeteve që nuk kanë paguar detyrimet deri në dhjetor të 2011, ndërsa detyrimet e papaguara pas 1 janarit 2012 janë 5,3 miliardë lekë.
“Çregjistrohen të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 dhjetor 2011. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si, taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve, që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë”, thuhet në relacionin e amnistisë.
/balkanweb/