Eurodeputetët: Përfshirja e ndërkombëtarëve forcon besueshmërinë për reformën, palët politike të gjejnë konsensus për “Drejtësinë”
“Roli i ndërkombëtarëve për “Vettingun” nuk ul rolin e autoriteteve shqiptare dhe në përputhje me rekomandimet e Venecias”-Ky është qëndrimi që vjen nga dy eurodeputetët raportues për Shqipërinë Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan. Ata i bënë sërishg thirrje partive në Shqipëri që të gjejnë zgjidhje të mirëkuptueshme për Reformën në drejtësi. “Inkurajojmë politikanët të gjejnë zgjidhje të besueshme dhe ftojmë palët që të gjejnë zgjidhje konsensuale”-thanë Flekenshtajn dhe Kukan.
Ata theksuan se mbështesin rolin e ndërkombëtar të monitorimit për të mbikqyrur “Vettingun”, apo procesin e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të bëhen pjesë e institucioneve të reja që dalin nga reforma. “Roli i OMN-s nuk ul rolin e autoriteteve shqiptare dhe në përputhje me rekomandimet e Venecias. Përfshirja e ndërkombëtarëve forcon besueshmërinë për reformën”-thanë eurodeputetët.
Megjithatë ata thanë se janë “të bindur se mund të arrihet një zgjidhje” dhe theksuan se është “përgjegjësi e liderëve politikë të miratojnë reformë të besueshme”. Sipas eurodeputetëve Flekenshtajn dhe Kukan “reforma do të garantojë sistem të pavarur dhe efikas drejtësie”.