Prokurori Përgjithshëm kemi në proces disa çështje hetimi ndaj zyrtarëve të lartë
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka deklaruar se arrestimet e bujshme nuk do të ndalen tek rasti i ish-ministrit Spiro Ksera. Në një intervistë në Top Channel, Llalla deklaroi se ka shumë raste të hetimit të ish-zyrtarëve të lartë por edhe të zyrtarëve aktualë. Llalla tha se vazhdojnë hetimet për ta.
“Hetimet duan kohën e tyre. Prokuroria ka mjaft raste në proces hetimi në nivele edhe të larta. Edhe zyrtarësh aktualë. Vijojnë hetimet dhe do të vendoset më vonë se ca do të bëhet”, tha prokurori i Përgjithshëm. Ai ka përjashtur presionin e politikës tek prokuroria. “ Nuk ka asnjë rast presioni politik ndaj prokurorisë. Vendimi për masën e arrestit është marrë pas përfundimit të hetimeve”, tha Llalla.
Lidhur me një ndër çështjet e bujshme siç ishte nisja e hetimit për abuzimet në Albpetrol ku u hetua për grup të struktuar kriminal, Llalla tha: “Është një hetim më i zgjeruar që shtrihet edhe tej kufijve të Shqipërisë. Kemi kryer pjesën tonë dhe jemi në pritje të letërporosive. Është drejt hetimit vazhdimisht sepse veprimet nuk mund të përfundojnë brenda territorit shqiptar”.