Valent Nallbati akuzohet se ka kryer procedurat për tenderin e rikonstruksionit të godinës së institucionit që drejton, por nuk janë kryer punimet
Policia e Korçës arrestoi sot drejtorin Rajonal të Shëndetit Publik në Devoll ,Valent Nallbati. Ai akuzohet se ka kryer një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Pra janë harxhuar paratë dhe nuk janë kryer punimet. Hetimet ndaj Nallbatit kanë nisur pas një letre anonime që ka mbërritur në prokurorinë e Korçës. Sipas prokurorisë letërshkruesi anonim, vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa pune ”dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila që do të fitonte tenderin.
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet dhe ka konstatuar se godina e Drejtorisë së Shëndetëtit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të.
Në këtë situatë është marrë vendimi për arrestimin e Drejtorit Rajonal të Shëndetit Publik Devoll, Valent Nallbati.