Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e urës së re të Selitës me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automejteve në dyja anët e Lumit Lana. Sipas ekspertëve, ndërhyrja në këtë nyje do të zgjidh trafikun dhe problemin e ujërave të zeza.
Bashkia ka nisur investimin për rindërtimin dhe zgjerimin e urës së Selitës. Ekspertët mendojnë që zgjerimi i urës, me përmasa tre herë më të mëdha se ajo ekzistuese do të përballojë fluksin e lëvizjes së automjeteve.
Veliaj: “Aktualisht jemi i vetmi kryeqytet në Evropë i cili kanalet e zeza i derdh në lumë. Kjo është një problematikë e trashëguar ndër vite, që nuk zgjidhet brenda vitit të parë, por në vjeshtë do të fillojmë investimin për të pasur kanalizimet poshtë Unazës, për të mos i derdhur më ujërat e zeza në Lanë. Mandej, do të përfundojnë në impiantin e ujërave të zeza në Kashar, ku pasi filtrohen, pjesa e ujit që filtrohet përdoret në bujqësi, kurse pjesa e pastër derdhët në lumë. Kështu i japim zgjidhje njëherë e mirë përgjigje problemit që kemi me ndotjen dhe ujërat e zeza në qytetin e Tiranës”.
Majko: “Mendoj se kjo është pjesë e projektit të madh të investimeve që po bëhen në këtë zonë, e bashkëlidhur me Unazën. Punët janë duke ecur përtej parashikimeve normale. Kjo pa diskutim do i shërbejë komunitetit qoftë të Njësisë 5, qoftë të njësive të tjera, pasi kjo urë ka qenë gangrenë historike e lëvizjes së makinave në këtë zonë. Jam shumë entuziast, sidomos për faktin që do të ndërtohet përtej afatit që është vendosur. Sa më shpejt t’i vihet në dispozicion komunitetit, aq më mirë është!”
Punimet pritet të përfundojnë brenda 3 muajve. Mbi lumin Lana parashikohen një sërë ndërhyrjesh për të përmirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
Veliaj: “Kjo është vetëm ura e parë ku ne po ndërhyjmë, ura e dytë do të jetë ajo tek ekspozita “Shqipëria Sot”; një urë këmbësorësh, e cila siç keni vënë re ka luhatje, ndaj do të jetë ura e dytë ku do të ndërhyjmë. Do të vazhdojmë me rehabilitimin e Lanës edhe përtej Maternitetit të Ri, por edhe përtej Pallatit me shigjeta. Ndërhyrjet e tjera në zonën e Lanës lidhen me disiplinimin e ujërave të zeza”.
Ura e re do të ketë një gjerësi totale prej 20 metra dhe 1 metër trafikndarëse.Gjithashtu projekti parashikon ndërtimin e dy trotuare me gjerësi mbi 2m.