Reagon sërish Partia Demokratike me anë të Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, për foton e Kryeministrit Edi Rama me presidentin amerikan Barack Obama.
Duma tha se Edi Rama ndodhet prej dy javësh nën akuzë, por hesht, nuk jep asnjë sqarim.
“Shtetasi i huaj numër 2, ose Edi Rama, që sipas FBI-së amerikane ka përfituar nga krimi federal i futjes së paligjshme të 80 mijë dollarëve në fushatën e Obamës, prej dy javësh ndodhet publikisht nën akuzë, por hesht, nuk jep asnjë sqarim. Shtetasi i huaj numër 2, doli nga hetimet që u bënë ndaj Bilal Shehut në Amerikë, i cili u përdor nga Edi Rama për t’i mundësuar në tetor të vitit 2012 një foto me presidentin Obama, foto që e përdori në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 ku erdhi në pushtet”, tha Duma.
Duma akuzon se Edi Rama hesht pasi nuk tregon dot burimin e 80 mijë dollarëve. “Pse nuk e tregon dot Edi Rama se nga erdhën 80 mijë dollarët, kush është burimi, kush është donatori? A janë ato para të pista, para droge, para trafiku, para biznesi kriminal? Është kjo arsyeja pse Edi Rama hesht?”.
Gjithashtu ajo theksoi se heshtja nuk e ndihmon Ramën të mbyllë skandalin. Sipas saj “shtetasi i huaj numër 2”, siç e quan ajo, nuk i ka bërë mirë llogaritë. “Heshtja nuk e ndihmon të mbyllë skandalin, siç shpreson. Përkundrazi, e rëndon edhe më shumë pozicionin e tij, dhe kjo heshtje vërteton se krimin federal, Edi Rama e investoi me një tjetër krim, me futjen e parave pisëta në fushatën presidenciale të Amerikës”.