Një stallë bagëtish në Maliq të Korçës është përfshirë nga flakët. Burime bëjnë me dije se zjarri ka rënë në stallën e Petrit Fasho, banor i fshatit Kakaç të Maliqit.
Ndërtesa është shkrumbuar totalisht ndërkohë që gjithë bagëtitë e fermerit kanë ngordhur, një viç e më tepër se 40 dhi. Ndërkohë zjarrfikësja ka bërë të mundur fikjen e flakëve sapo ka arritur.
Theksojmë se në disa qarqe të vendit janë djegur terrene pyjore, disa prej të cilave kanë rrezikuar edhe banesat. Vatrat e zjarrit kanë qenë problematike kryesisht në qytetet Berat, Vlorë, Fier por edhe Tiranë. Vetëm një ditë më parë në kodrat e fshatin Mimias, ka rënë një zjarr pikërisht në pyllin me pisha të kësaj zone.
Zjarri është pikasur nga banorët që kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit, të trembur se mos zjarri përhapet drejt Bllokut të Fiqve dhe vreshtave, që ndodhen shumë pranë pyllit me pisha.