Vatra zjarri kanë rënë edhe në bashkinë Tropojë. Sipas një reagimi të kryetarit Rexh Byberi, vihet re që në vendepozitimin e mbetjeve në periferi të qytetit të Tropojës, disa herë ka rënë pre e zjarrvënies së qëllimshme.
Në reagimin e tij, Byberi, këtë ngjarje e quan kriminale dhe aspak të përgjegjshme, pasi në këtë periudhë Tropoja po përgatitet për çeljen e sezonit turistik.
“Është rasti që jo vetëm të shprehim indinjaten deri në neveri për akte të tilla por dhe të apeloj me insistim pranë organeve përgjegjëse qe sa më parë autorët të vihen përpara ligjit. Është mëse logjike që në një kohë të tillë mjaft të freskët të mos ketë shkaqe të tjera për zjarr përveçse një dorë kriminale dashakeqëse të cilën e verbojnë punët e mira të cilat po vijojnë anembanë Tropojës”, shprehet kryetari.