Bjellorusia ka qenë një nga vendet që ka mbështetur agresionin rus në Ukrainë. Për këtë arsye, ditën e sotme, Këshilli Europian ka vendosur që të ndërpresë marrëdhëniet me Bjellorusinë. “Organi ekzekutiv i Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave, vendosi sot të pezullojë të gjitha marrëdhëniet me Bjellorusinë. Komiteti i Ministrave pezullon të drejtën e Bjellorusisë për të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe aktivitetet e organizatës”, thuhet në deklaratën në faqen e internetit të Këshillit të Evropës.
Vendimi i Këshillit të Evropës për Bjellorusinë vjen një ditë pas përjashtimit të Rusisë nga anëtarësimi në këtë organizatë. Pjesëmarrja e Rusisë në organet kryesore të Këshillit të Evropës u pezullua për herë të parë më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Bjellorusia nuk është anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sepse nuk ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendi bashkëpunoi me organizatën, si nënshkrues i 12 konventave të iniciuara nga Këshilli i Evropës, veçanërisht Konventa për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Konventa Kulturore Evropiane dhe Konventa për Ruajtjen e Kafshëve të Egra në Evropë.