Në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë zbritur sot(10 mars) në 113 dollarë për fuçi, pasi u rritën mbi 130 dollarë ditën e djeshme, pas lajmit se SHBA-të ndaluan importet e naftës nga Rusia. Por, deklarata e OPEC se do të rrisin prodhimin ka qetësuar tregjet, duke sjellë dhe rënien e naftës në nivelet e para fillimit të luftës. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë(IEA), Fatih Birol,tha se pavarësisht situatës ku gjendemi, nuk ka vend për shumë panik.
Ai theksoi se anëtarët e grupit ishin të gatshëm të lëshonin më shumë naftë nga rezervat e urgjencës për të lehtësuar çmimet e energjisë, pasi ai kritikoi Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për refuzimin e pompimit të më shumë naftë bruto. Birol tha se lëshimi i koordinuar javën e kaluar nga SHBA dhe vendet e tjera të mëdha që konsumojnë energji prej 60 milion fuçi ishte një “përgjigje fillestare” dhe se IEA ishte gati të bënte gjithçka për të reduktuar paqëndrueshmërinë në tregjet e energjisë të nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Ne jemi gati të lëshojmë aq naftë sa të nevojitet”, tha Birol duke vënë në dukje se 60 milionë fuçi ishin vetëm 4 për qind e rezervave totale strategjike të naftës të anëtarëve të IEA. “Ne po monitorojmë tregjet dhe jemi gati të nxjerrim më shumë naftë nga stoqet.”
Birol shtoi se ai kishte qenë gjithashtu në diskutime me vendet prodhuese të naftës në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Azi për rritjen e prodhimit. “Ne jemi në kontakt të ngushtë me disa vende prodhuese që sillen më me përgjegjësi se të tjerët,” tha ai.Edhe çmimet e energjisë sipas bursës Hungareze kanë rënë sot.
Dy anëtarët e OPEC-ut kanë secili më shumë kapacitet prodhues të lirë se çdo prodhues tjetër i naftës. Grupi Opec +, i cili përfshin Rusinë, javën e kaluar ra dakord të qëndrojë me një plan për të zëvendësuar vetëm gradualisht uljen e prodhimit në fillim të pandemisë.
“Arabia Saudite, Emiratet dhe disa prodhues të tjerë të Lindjes së Mesme kanë sasi të konsiderueshme kapaciteti prodhimi dhe unë do të prisja që nga takimi i fundit i OPEC+ që ato vende të ndajnë disa mesazhe ngushëlluese për tregjet globale të naftës në drejtim të rritjes së perspektivës së tyre të prodhimi ”, tha Birol.
Edhe Opec po përpiqet të lehtësojë qytetarët në mbarë botën.
Sekretari i përgjithshëm në largim i OPEC, Mohammad Barkindo, tha se ndërsa çmimet e naftës në tregjet e së ardhmes janë rritur më shumë se 30% që kur Rusia pushtoi Ukrainën, “nuk ka mungesë fizike të naftës, në treg.”
Tregjet e së ardhmes janë “fuçi letre”, por në tregun fizik furnizimet janë të garantuara, tha Barkindo në një intervistë për Bloomberg duke theksuar se OPEC dhe aleatët e tij do të vazhdojnë të garantojnë furnizime në treg dhe të punojnë për t’i mbajtur çmimet e energjisë të lehtësuara.
Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se do ta shtynin Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës të pomponte më shumë naftë pasi çmimet e naftës së papërpunuar arrijnë afër niveleve rekord gjatë luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi zyrtarisht se do të ndalohen importet e naftës ruse si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë. Biden shtoi se ndalimi i importeve do të përfshijë gjithashtu atë të gazit dhe të energjisë nga Rusia. Kjo do të jetë një goditje tjetër për ekonominë ruse, e cila tashmë është goditur nga një sërë sanksionesh nga Perëndimi.
“Unë do të bëj gjithçka që mundem për të minimizuar rritjen e çmimit”, tha Biden.
Një vendim të ngjashëm mori edhe Britania e Madhe. Qeveria atje parashikon që të ndërpresë importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022. Periudha e tranzicionit do të përdoret për t’i dhënë kohë tregjeve, bizneseve dhe zinxhirit furnizues që të gjejë burime zëvendësuese.
Industria amerikane importon vetëm një sasi modeste të naftës ruse dhe produkteve të rafinuara.
“Prodhimi i naftës në SHBA ishte zhytur gjatë muajve të parë të pandemisë, duke çuar dhjetëra kompani të naftës në falimentim dhe duke detyruar të tjerët të shkurtojnë dhe mbyllin shpimet e reja. Por që nga gushti i 2020-ës, ajo është rritur përsëri, duke shtuar 2 milionë fuçi në ditë për të arritur në 11.6 milionë fuçi në ditë deri në fund të shkurtit, dhe parashikuesit presin që kjo shifër të rritet me 1 milionë fuçi të tjera deri në fund të vitit.
Ka një mirazh që kapaciteti rezervë mund të nxirret”, tha Tengku Muhammad Taufik, CEO i kompanisë shtetërore malajziane të naftës Petronas, në të njëjtën konferencë, CERAWeek i S&P Global.
Departamenti i Energjisë dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë duhet të lëshojnë 120 milionë fuçi nga rezervat strategjike në botë dhe 120 milionë të tjera muajin e ardhshëm dhe të thonë se më shumë do të vijnë”, tha ai.
Çmimet e naftës kanë shënuar një tendencë të lehtë uljeje gjatë ditës së sotme edhe në Shqipëri, për herë të parë që kur filloi rritja e tyre një javë më parë.
Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh në vend i shumicës e pakicës, një litër naftë po tregtohet me 243 lekë, nga 249 lekë që ishte një ditë më parë.