Detaje të tjera janë zbardhur nga operacioni i SPAK, ku u arrestuan 2 efektivë policie në Tepelenë. Bëhet me dije se SPAK ka zhvilluar një operacion në disa qytete të vendit, pas një hetimi që kishte nisur prej kohësh. Dhe sot janë caktuar masat e sigurisë arrest me burg për 42 persona, të cilët akuzohen se janë pjesë një grupi të trafikantësh të lëndëve narkotike.
Burime nga SPAK bëjnë me dije se hetimet për këtë operacion zgjatën për 3 vite, ndërkohë që në mesin e të arrestuarve janë dhe dy punonjës policie, të identifikuar si Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër. Të cilët, ndër të tjera akuzohen edhe për shpërdorim të detyre.
Burimet bëjnë më dije se, gjatë hetimit proaktiv 3 jeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e 5 grupeve të strukturuara kriminale. Janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020.