Filmi shqiptar “Shok” i nominuar për çmim Oscar, nuk ka kaluar pa vëmendjen e mediave serbe të cilat e quajnë këtë film si një provokim.
Gazeta Blic shkruan se ky projekt filmik është propagandistik dhe e ka akuzuar britanikun Jamie Donoughue (i cili është regjizor dhe scenarist i filmit) se në mënyrë të qartë është duke mbajtur anën rreth ngjarjeve të luftës, si dhe ka idealizuar gjendjen aktuale të Kosovës.
“Shok” është i pari film i Kosovës i kandiduar për çmimet “Oscar”
Një histori e thjeshtë shokësh, një histori miqësie dhe dhimbjeje, një histori gjaku dhe lufte.
Petriti dhe Oki janë dy djem të vegjël, miqësia e të cilëve sprovohet dhe forcohet në kohë lufte, duke u shënjuar me vdekje në emër të të gjithë atyre fëmijëve shqiptarë, që bashkë me gra, burra e të moshuar u vranë barbarisht nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës së Kosovës.
Masakrat e vitit 1998, vijnë edhe njëherë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar përmes konceptit regjisorial të britanikut Jamie Donoughue.
Eshref Durmishi, producenti dhe njëheri një prej aktorëve ka rrëfyer se kjo është historia e tij. “Polici serb më ndali dhe më kërkoi mjetin e identifikimit, teksa shkoja në shkollë. Nuk e kisha idenë asokohe sepse isha vetëm 14-vjeç he nuk dija serbisht. Polici më foli shqip dhe unë i thashë që po shkoja në shkollë. Më goditi dhe më tha se herës tjetër, kur të na ndalonin, unë duhet të flisja serbisht”, – është shprehur në media Durmishi, ndërsa ky episod është i rrëfyer vizualisht në këtë prodhim kinematografik.