Uellsi ka shkruar historinë me këtë debutim të suksesshëm duke mbërritur deri në gjysmëfinalet e Euro 2016. Uellsianët triumfuan në stadiumin Stade Pierre-Mauroy kundër Belgjikës me rezultatin 3:1. Ishin belgët ata që shënuan të parët, por mesfusha cilësore e uellsianëve ndërtoi aksione aq sa për të përmbysur rezultatin me 3 gola. Radja Nainggolan me një goditje të fuqishme prej rreth 30 metrave në minutën e 13-të takimit, kapi në befasi portierin Hennessey duke dërguar topin në rrjetë.
Ekipit të Gareth Bale iu desh 18 minuta kohë që të barazonin rezultatin për të bërë më tutje edhe përmbysjen e madhe. Kapiteni dhe qendërmbrojtësi Ashley Williams hapi rrugën e shënimit të tre golave me një gol me kokë të ardhur nga kornia.
Në pjesën e dytë u prit që belgët të kthejnë epërsinë, por ndodhi e kundërta pasi Uellsi shënoi edhe golin e dytë në këtë takim. Kur pritej të përfundonte takimi, në të 85-tën minutë Sam Vokes realizoi golin e tretë dhe të nokautit për belgët dhe kështu, ndeshja përfundoi 3:1 për Uellsin.
Pas kësaj fitore, Uellsi në gjysmëfinale do të takohet me Portugalinë, e cila eliminoi mbrëmë pas penalltive Poloninë. Në këtë ndeshje do të kemi përballjen interesante mes dy futbollistëve të Real Madridit, Gareth Balet dhe Cristiano Ronaldos.