Franca ia ka dalë të kalojë në çerekfinale pas shumë minutash vuajtjeje ndaj Irlandës, pasi nuk po gjente golin e barazimit, për të ngulmuar më pas për të fituar ndeshjen.
E gjendur në disavantazh prej minutës së dytë, pas një penalltie të akorduar nga arbitri italian Nicola Rizzoli dhe që u shndërrua në gol nga Robert Brady, Franca është hedhur në sulm në kërkim të golit, por pjesa e parë ka përfunduar me këtë rezultat.
Edhe në pjesën e dytë Franca ka dominuar lojën duke gjendur rrjetën për herë të parë me anë të Griezmann në minutën e 51’. Një gol i ngjashëm me atë që shënoi ndaj Shqipërisë.
Ka qenë po Griezmann ai që në minutën e 66’ ka shënuar edhe golin e kualifikimit. Tashmë Franca pret e qetë përballjen Angli-Islandë, ku fituesi do të jetë edhe kundërshtari i radhës për organizatorët e këtij Europiani