Kryeministri Edi Rama paralajmëron qytetarët se kush dëmton apo thyen matësat e energjisë elektrike, duke filluar nga data 1 korrik nuk do të marrë energji elektrike.
Deklarata e Kryeministrit u bë nga Burreli ku pa nga afër përfundimin e pajisjes me matësa elektrike në qytet dhe zonat përreth.
Rama: “Ne jemi të angazhuar që t’i japim fund aforfesë. Jemi të angazhuar të çojmë matësin në çdo shtëpi dhe biznes që konsumon energji elektrike. Por ta kenë të qartë të gjithë ata që kujtojnë se duke thyer matësin do ti shpëtojnë rregullit të përgjithshëm se kush thyen matësin nuk ka për të marrë energji elektrike gjithashtu kush nuk pranon matësin , nuk do të marrë energji elektrike, nga 1 korriku.
Matësat janë pjesë e investimit të përbashkët. Paguhen me paratë e kontributeve të përbashkëta dhe janë domosdoshmëri, e para për të mos rënduar njerëzit me fatura aforfe dhe secili të paguajë atë që konsumon. E dyta për ti dhënë fund dhe për ti vënë pikë historisë që dikush paguan dhe dikush nuk paguan. Kjo histori për ne i takon të kaluarës. Kush do që të jetojë me të kaluarën, do të jetojë në errësirë, nuk do të ketë drita.”