Nga Mentor Kikia
Pamjet e dhunës në një kopësht privat i tronditën masivisht njerëzit. Por, unë nuk jam fatalist të them se këtu duhet shembur sistemi arsimor. Njerëz të dhunshëm ka në çdo sistem e çdo shoqëri dhe tani shpresoj që ajo grua përbindësh të qëndrojë atje ku i takon, në burg, dhe jo në kopësht. Por, problemi është përtej një gruaje të dhunshme, apo dhe shumë të tjerave që mund të jenë si puna e saj, por që ende nuk i kanë filmuar. Pra, problemi është tek mekanizmat që duhet të ketë shteti për të mos i lejuar këtë njerëz të dhunshëm të traumatizojnë fëmijët.
Jo gjithkush mund të hapë një kopësht fëmijësh. Nuk mjafton të kesh një ndërtesë ca karrige, të hapësh NIPT-in, të regjistrohesh në QKL si biznes i vogël (apo i madh), të paguash taksat dhe ja u bëre pronar kopështi.
Jo, këtu hyn shteti, ai shteti që vetëm të merr taksën dhe nuk të shikon nga dritarja se çfarë u bën fëmijëve. Personeli i këtyre institucioneve nuk duhet të ketë vetëm një diplomë, të blerë apo të merituar, por të jetë i kontrolluar edhe nga ana psikologjike dhe të monitorohen vazhdimisht.
Po ashtu, si dado fëmije nuk mund të shërbejë thjeshtë një grua e papunë, apo komshija që sapo ka dalë në pension dhe ka kohë të lirë. As si kujdestare të moshuarish, një grua hallexhije që e marrim t’i bëjmë një nder.
Këtu duhet kërkuar ajo që shikojmë nëpër video. Shteti për të tilla punë duhet, nuk duhet të ngrejë vetëm mekanizma (lloj-lloj policish) për t’u vjelë detyrimet qytetarëve, por të ofrojë edhe ndonjë shërbim.