Duke qenë se kurba e të infektuarve me koronaviurs në vendin tonë është zbutur në javët e fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka kryer disa ndryshime të masave kufizuese. Lajmin e ka bërë të ditur sot Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka ndarë me publikun masat e reja që futen në fuqi nga sot.
Sipas saj, Komiteti ka vendosur të kryejë reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas dozës së dytë. Po ashtu do të reduktohet koha e izolimit për personat që janë prekur nga Covid. Sipas ministrisë, kushdo që është i infektuar do të qëndrojë në izolim vetëm 5 ditë.
“Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vlerësimin e situatës epidemiologjike, vlerësimin e ecurisë së programit të vaksinimit dhe masave anticovid. Ekspertët e Komitetit Teknik rekomanduan për vlerësim nga Komiteti i Vaksinimit, reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas dozës së dytë. Komiteti vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 në 5 ditë, sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik.
Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit me dozën përforcuese, rritjen e mbulesës vaksinale për popullatën si dhe duke vlerësuar në dinamikë incidencën e rasteve të reja ditore dhe situatën në spitale, ekspertët e Komitetit Teknik do të ri-vlerësojnë në vijim masat anticovid”, u shpreh ajo.
Duket se pandemia po shkon drejt zhdukjes pasi edhe disa vendet të tjera si Australia, Britania e Madhe dhe Italia kanë hequ pothuajse tërësisht masat kufizuese dhe po i rikthehen normalitetit.