Ditën e sotme është ngritur Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit për mbështetjen me paketën e plotë për fëmijët të “Dëshmorëve të Atdheut”.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila duke folur për përfitimet që garanton ligji i ri, Manastirliu tha se ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare nëse vazhdon edhe shkollën e lartë.
“Ashtu sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin ‘Dëshmor i Atdheut’, por që deri më sot përfitimet kanë qenë të kufizuara përsa i përket fëmijëve.
Ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare nëse vazhdon edhe shkollën e lartë. Është një hap përpara në të gjitha politikat tona për mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror. Fakti që ne sot jemi këtu dhe miratojmë të gjithë paketën e instrumenteve për ta bërë realitet sa më shpejt të jetë e mundur këtë ligj, tregon edhe një herë angazhimin dhe zbatimin e atyre premtimeve që ne kemi dhënë”, tha ajo.
Manastirliu bëri me dije që në faqen e Ministrisë së do të dalë njoftimi për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke theksuar se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit.