Ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, është bërë shkaku i arrestimit të katër pronarëve lokalesh në Tiranë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Four” u arrestuan në flagrancë Arsen Sulaj, Klajdi Balliu, Aleksandër Bendo dhe Lutfi Shima.
Sipas njoftimit, katër pronarët e arrestuar kishin vënë në dispozicion lokalet në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit. Lokalet janë përkatësisht në Kashar, në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat dhe në “Rrugën e Xhepëve”.
Katër pronarët akuzohen për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.