Në videon më poshtë tregohet momenti kur RENEA arreston Edmond Përdodën, 39-vjeçarin e shpallur në kërkim për vrasje të dyfishtë. Përdoda u kap nga forcat RENEA në banesën e tij në Lezhë ku ishte fshehur prej disa kohësh.
“Afrohu, rrotullohu”, dëgjohet t’i thonë forcat RENEA personit që ishte në kërkim. Përdoda kërkohej pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri Preng Simoni dhe Kol Murrani.
Murrani dhe Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave. Rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi.