Kreu i PD-së, Lulzim Basha flet pas dëshmisë në SPAK mbi çështjen “Toyota Yaris”. “I tregova prokurorëve belgë gatishmërinë time”, tha ai menjëherë pasi ka lënë zyrën e prokurorëve ku dha shpjegime për rreth 2 orë.
“Çështja në Belgjikë nuk është mbyllur, siç ka ndodhur me çështjen këtu. Paratë e konfiskuara mbeten të konfiskuara. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe ata janë të angazhuar ta dërgojnë deri në fund”, deklaroi Basha.
“Kam kënaqësinë të jem përsëri me praninë e përfaqësuesit e drejtësisë belge që kanë konfirmuar të vërtetën dhe kanë hedhur poshtë gënjeshtrën”, e nisi deklaratën Basha para gazetarëve.
Megjithëse nuk dha detaje për atë që kishte thënë para prokurorëve, Basha konfirmoi se u qëndron pohimeve të mëparshme të bëra në emër të PD-së mbi këtë dosje. Ndërkaq, Basha nuk ka hezituara t’i kthejë përgjigje edhe Berishës për sulmet mbi këtë aferë.
“Një gjë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët, unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge, por të drejtësisë në tërësi dhe do të vazhdoj të jemi kundër krimit të organizuar, duan apo nuk duan të korruptuarit, non gratat e shpallur e të pa shpallur. Çështja ishte mbyllur”.
Paratë, tha Basha, janë konfiskuar, procesi vijon në Belgjikë dhe kanë mbështetjen tonë të plotë.
“Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë mbështetjen tonë në këtë luftë. Ata s’janë vartësit e askujt përveç ligjit dhe taksapaguesve shqiptarë”, tha Basha. Megjithë insistimin e gazetarëve, ndryshe nga herë të tjera, Basha u tregua i kursyer në informacionet mbi aferën “Toyota Yaris”.
Kujtojmë se deklarata e kryedemokratit dhe sekuestrimi pak ditë më vonë i 3,4 milionë eurove në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit, trazoi skenën politike qershorin e vitit 2018. Por, më vonë, gjithë çështja “Toyota Yaris”, që përballi Ballën e Bashën në gjyq për “shpifje”, si edhe vuri nën hetim gjashtë persona, përfundoi me një dënim të vetëm me 1 vit burg. Gjykata e Tiranës shpalli fajtor Ervis Vladin për faktin se nuk deklaroi në kufi milionat e eurove të fshehura në mjetet “Toyota”. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”, por përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.