Ditën e djeshme janë prishur 11 banesa në zonën e “5 Majit”, pavarësisht rezistencës së banorëve. Qytetarët kundërshtuan policinë dhe madje u ushtrua dhunë ndaj tyre, por ditën e sotme qeveria ka mohuar gjithçka.
Vetë kryeministri Edi Rama i është përgjigjur qytetarëve në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë se i siguron qytetarët se askush nuk do të mbetet jashtë dhe se kjo nuk bëhet për interes të ndonjë kompanie. Rama thekson se edhe ata që i kanë shtëpitë pa leje do të përfitojnë shtëpi të re me një vlerë shumë më të madhe se ajo që kanë pasur. Ndërsa mohon që ndokush të jetë nxjerrë me zor nga shtëpia, ndërsa pamjet nëpër rrjet tregojnë krejt të kundërtën.
“Nuk kemi nxjerre asnjë jashtë nga shtëpia për asnjë kompani të asnjë shokut tone, por po ndërtojmë një lagje te re ku edhe ata qe i kane shtëpitë pa leje e qe sigurisht do t’iu prishen, do te marrin shtëpi të re me një vlerë shumë më të madhe se ajo qe kanë! Prandaj turpi le t’u mbetet atyre qe bëjnë politike përçarëse edhe me çatitë e familjeve, ndërkohë që ne do të bëjmë për të gjitha ato familje te njëjtën gjë që bëmë me familjet e prekura nga tërmeti, pa dallim partie e krahine”, tha ai.
Gjithashtu një tjetër qytetar ka reaguar për çështjen e “5 Majit” duke pyetur: “Ndoshta duhet bere një pyetësor për Banoret e 5 Majit, Unazës se re dhe gjithë viktimave te Rilindjes&Co!! Pyetje :A ka vlerë Jeta dhe Prona në Shqipëri??”.
Rama shkruan se nuk ka nevojë për një pyetësor të tillë sepse të quash “viktima te Rilindjes” ata që marrin shtëpi me leje në një lagje të re, pasi u prishet banesa pa leje në një geto kaotike, duhet te jesh vetë viktime e një mllefi të pangushëllueshëm politik.