Çështja e “5 Majit” është ngritur sërish si një shqetësim kryesor në Komisionin e Ligjeve. Nënkryetarja e Komisionit, Dhurata Çup, tha se ditën e nesërme pritet shembja e banesave te “5 maji” teksa banorët vazhdimisht kanë denoncuar ndaj padrejtësive që po u bëhet, por Bashkia Tiranë ende nuk ka bërë asnjë reagim. Sakaq, ajo i bëri thirrje deputetëve të qeverisë të respektojnë ligjin dhe të informojnë banorët e “5 majit”, siç u mor përsipër gjatë dëgjesës së tyre. Sipas saj, 10 ditë pas dëgjesës, Bashkia nuk ka bërë asnjë veprim për t’i informuar dhe as Komisioni i Ligjeve nuk ka vënë Bashkinë nën presionin e duhur për të mos nëpërkëmbur të drejtën e qytetarëve për t’u informuar për shtëpitë e tyre.
“Ne nuk mund ta lëmë këtë dëgjesë publike në heshtje, ose pezull. Ju në mbyllje të dëgjesës deklaruat se të gjitha shqetësimet e qytetarëve do t’jua nisni institucioneve shtetërore. Tashmë ka kaluar një afat rreth 10 ditor ndërkohë qytetarëve u prishen shtëpitë çdo ditë. E kam thënë, ka një grafikë ku çdo ditë u prishen ose në mënyrë periodike u shprishen shtëpitë. Ka banorë që flenë ende në rrënojat e shtëpive të tyre për shkak se nuk është siguruar nga Bashkia Tiranë, bonuset, banesat, ka qytetarë që nuk kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshjet me Bashkinë e Tiranës.
Ka shqetësime të këtyre qytetarëve të cilët siç edhe ne të gjithë këtu i dëgjojmë, edhe në media është kthyer në shqetësim, por ajo që është më e rëndësishme është shqetësimi i qytetarëve atje”, tha ajo. Dhurata Çupi tha se PD do të vazhdojë ta mbajë këtë çështje në vëmendje, pasi qëllimi i është por zgjidhja e problemit të banorëve të 5 majit.