Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se, ish-ministri Saimir Tahiri, në ditët në vijim pritet që të transferohet në burgun e Rrogozhinës. Arsyeja është për shkak se burgu i Vaqarrit është në rikonstruksion. Për një periudhë 10 ditore ish-ministri do të jetë në vëzhgim nga autoritetet e burgjeve për arsye sigurie kjo për shkak se në ambientet e burgut 313 qëndrojnë të dënuar me rrezikshmëri të lartë.
Avokati i Saimir Tahirit, Dritan Jahaj, në një intervistë për mediat është shprehur se ditën e sotme ish-ministri është takuar takime në ambientet e paraburgimit me familjarët. Pjesë e takimit kanë qenë edhe dy avokatët e tij, Maks Haxhiaj dhe Dritan Jahaj. Jahaj tregoi se Tahiri ishte i qetë, ndërsa në ditët në vijim do t’i drejtohen me rekurs gjykatës së lartë për vendimin e apelit.
“Diskutimi ishte rreth mënyrës se mbrojtjes dhe fakteve e argumenteve që do përdorim për ankimimin” – tha Jahaj.
Kujtojmë se ish-ministri, Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Apelit të Posaçëm me 3 vite e katër muaj burg për shpërdorim detyre.