Edhe pse të gjithë ishim skeptikë dhe e kritikuam emërimin e tij në ministri, Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duket se ia ka marrë dorën mirë detyrës së tij të re. Sot, nën kuadrin e zv.ministrit të Energjitikës, ka shkuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për të kërkuar shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001”.
“Projektligji që po paraqesim sot ka si synim aderimin në Konventën Kombëtare për kontrollin e dëmit nga sisteme anti-vegjetative në anije. Sistemet “antifouling” janë materiale që shpërbejnë për lyerjen e fundit të anijeve me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave si alga e molusqe. Që ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve”, nis fjalën e tij në Kuvend Veliu, që me sa duket nuk e kishte lexuar paraprakisht para se të hynte në sallë fjalimin. Pra Ministria e Infrastrukturës i mbyll të gjitha problemet e tjera dhe tani erdhi radha molusqeve.