Kryetari i Kuvendit ishte i ftuar në zonë e Lirë me gazetarin, Ajan Çani, ku ka folur edhe për arrestimin e ish-ministrit të qeverisë Berisha, Spiro Ksera
Para se të flasim për aktualitetin, unë do të doja ta filloj nga fundi. Ç’ishte ajo darkë me Edi Ramën?
Unë kujtova se do ta filloje nga Doktori.
Jo, do ta filloj nga lajmi i fundit. Ç’ishte ajo darkë, Ilir, me Edi Ramën pak ditë më parë në restorantin e Irfanit, që quhet “Prestige”, që është midis hipotekës dhe burgut?
Si mund t’i rezistohet ftesës së Irfanit? Unë nuk i rezistoj dot.
E kishte organizuar Irfani të gjithë?
Po, po. Ishte kënaqësi.
Donte ai t’ju bënte bashkë?
Ne bashkë jemi vazhdimisht, por ishte një ftesë e tij dhe e respektova siç respektoj ftesën e shumë të njohurve dhe miqve të mi.
Megjithatë, duhet thënë që kjo darkë u bë në vigjilje të 21 janarit, një datë që të kujton 21 janarin e 5 viteve më parë.
Kjo është lidhja dhe spekulimi që bëni ju.
Është koincidencë pra?
Pyesni Irfanin, ai ishte organizatori.
Duke qenë se ju të dy, Ilir, ju dhe Edi Rama, njëri Kryeministër, tjetri Kryetar Kuvendi, në koalicion po qeverisni Shqipërinë prej tashmë 2 vjetësh e gjysmë, të gjithë jemi kuriozë, por jo vetëm kuriozë, po ju, si dy njerëz që keni fatet e Shqipërisë në dorë në këto momente, të paktën keni detyrimin të informoni publikun se çfarë u tha në atë darkë….
Ishte një darkë normale.
Ishte një darkë miqësore? Nuk ka qenë darkë zyrtare?
Sigurisht, ishte darkë miqësore. Ne kemi qenë të ftuar. Për informacione të mëtejshme mund t’i drejtoheni z. Irfan, se ai ishte organizatori, unë nuk mund të flas në emër të tij.
Media foli edhe për prezencën e Koço Kokëdhimës në atë darkë. A është e vërtetë? Më pas u përgënjeshtrua në disa media të tjera.
Unë nuk jam këtu për të bërë zëdhënësin e darkës, por për t’ju qetësuar ju, z. Koço nuk ka qenë në atë darkë.
Nuk ka qenë atje. Po Luan Bregasi ç’donte atje?
Luani është institucion, është edhe anëtar i këshillit bashkiak, është edhe kryetar i Business Albania. Nuk ka asgjë të keqe, mendoj. Edhe ju mund të ishit. Nuk qëlloi atë ditë që të flisnit me z. Irfan, se mund t’ju kishte ftuar edhe ju.
Megjithatë, Ilir, meqë ra fjala për Koçon, ai vazhdon të bëjë lajm, sigurisht jo më shumë se ju dhe Ed Rama. Sot ishte në Vlorë, apo dje, dhe ka mbajtur një fjalim si Enver Hoxha, ishte i paparë: “Rroftë Partia Socialiste! Rroftë Edi Rama!” Nuk e di e pe apo jo?
Jo, nuk e kam ndjekur.
Janë këto anëtarësimet e reja.
Mirë ka bërë, këto janë shprehje dhe thirrje që përdoren në aktivitete partie.
Meqë ra fjala te Koçoja, thonë që keni raporte shumë të ngrohta me të. Është e vërtetë?
Kam raporte shumë normale.
Kishte thënë në Vlorë që duhet ta doni Ilir Metën, se, në qoftë se Ilir Meta, LSI-ja nuk është me ne, vjen Saliu në pushtet.
Nuk e di.
Po, po, doli në të gjitha mediat. Mos më thoni që nuk jeni informuar?
Nuk e di si e ka thënë, se unë nuk rri gjithë ditën që të ndjek mediat. Nuk është se nuk ju besoj ju, por një gjë që nuk e dëgjoj vetë…
Ju bëhet qejfi kur dëgjoni fjalë të tilla kaq të mira?
Mos më bëj të skuqem nga turpi, të lutem.
A ju prek në sedër kur dëgjoni një socialist dhe një mik të afërt të Edi Ramës që thotë se duhet ta doni Ilir Metën patjetër.
Nuk besoj, se nuk ka nevojë, me socialistët shkojmë shumë mirë dhe duhemi aq sa duhemi, kështu që mos u shqetësoni.
Ku do jeni në zgjedhjet e 2017, me cilët do bëni aleancë?
Nuk e di ku do jem, ja do vij tek Zonë e Lirë…