GJKKO ka vendosur të shtyjë gjyqin për ish-kreun e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe. Sipas informacioneve, Gjykata ka shtyrë më datë 2 shkurt seancën në ngarkim të Fatos Tushes, ish-kryetarit të Bashkisë Lushnje dhe zyrtarëve të tjerë të arrestuar. Seanca u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u arrestua në tetor të 2021-ës dhe që prej asaj kohe është i arrestuar pasi akuzohet për abuzim me tenderë dhe shpërdorim detyre.
SPAK mbylli hetimet në ngarkim të Tushes duke e akuzuar për përvetësimin e 24 milionë lekëve të reja, tender i zhvilluar në Lushnje për rehabilitimin e kanaleve të ujitjes. Ai u arrestua bashkë me dy zyrtarë të tjerë ndërsa u shkarkua nga kryeministri Edi Rama me vendim të Këshillit të Ministrave.