Vizita e Presidentit turk Recep Erdogan ngriti mijëra pikëpyetje dhe dyshime për shkak se përkoi me 554-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ish- kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, ka reaguar ndaj atyre që e kanë cilësuar si “provokim” vizitën e Erdogan pikërisht në këtë ditë. Përmes një postimi në Facebook, ai u thotë të mos e kujtojnë Skënderbeun vetëm kur vjen Presidenti turk.
“Mos e kujtoni Skënderbeun vetëm kur vjen Erdogan! Turqia ka pranuar të jetojnë 6 milion shqiptar, Turqia njohu e para Kosovën, Turqia e re nuk është Perandoria Osmane, Turqia ka një shekull paqe me kombin shqiptar. Turqia është investitori i parë në Shqipëri, Turqia ka hapur 800 biznese në Shqipëri, Turqia na ka mbështetur në çdo krizë humanitare, Turqia ka investuar edhe në zona katolike si Laçi, Turqia nuk ka pretendime territoriale, Turqia nuk ka ligj lufte me ne si Greqia”, shkruan ai.
Spahiu përmend edhe investimet dhe të mirat që Turqia i ka sjellë Shqipërisë, teksa ngre pyetjen nëse ky mllef është urrejtje fetare, politike apo sociale?
“Turqia nuk mban të pushtuar Çamërinë, Turqia nuk na ndryshon emrat si Athina, Turqia nuk jep pensione, nëse ndryshon kombësi, Turqia po dhuron spitale, shkolla, apartamente, Turqia nuk na shtyn drejt Rusisë, por SHBA-s Turqia është aleati kryesor i Gjermanisë, Turqia na ka mbrojtur nga agresioni grek, Turqia nuk thotë si Beogradi “Kosova zemra jone” A është ky mllef: Urrejtje fetare, politike, sociale apo ..?”, shkruan ai.
Ditën e djeshme Erdoigan mbërriti në vendin tonë për të inauguruar shtëpitë që u rindërtuan nga Turqia, të cilat u shkatërruan nga tërmeti i vitit 2019. Ai pati edhe një ndalesë në Parlamentin Shqiptar, ku mbajti një fjalim përshëndetës për pak minuta.