Policia e Dibrës ka vënë në pranga tre persona pasi tregtonin naftë kontrabandë dhe furnizonin automjetet e transportit të udhëtarëve, duke shmangur detyrimet doganore
Nga veprimet hetimore, rezulton se këta persona kishin instaluar dy serbatorë për naftë në një automjet në përdorim të një subjekti dhe në mënyrë të vazhdueshme e sistematike merrnin lëndë djegëse (gazoil), në Dibër të Madhe dhe më pas e depozitonin në një depozitë nafte në afërsi të ambienteve tregtare të subjektit të tyre.
Ky subjekt duke qenë se disponon mjete të transportit të udhëtarëve nëpërmjet kësaj skeme dyshohet se kryenin kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe evazion fiskal duke shmangur detyrimet doganore të hidrokarbureve nga pika e kalimit kufitar Bllatë ku më pas u furnizonin mjetet e transportit.
Si rezultat i veprimeve hetimore si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e magazinës së këtij subjekti u gjet një depozitë e mbushur me lëndë djegëse (gazoil) në sasinë rreth 800 litra e dyshuar se është grumbulluar nga veprimtaria kriminale e kontrabandës së kryer nga personat e mësipërm.