Partia Demokratike ka denoncuar sërish dhunën e ushtruar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berishë në protestën e 8 janarit para selisë blu, këtë herë me emra.
Me anë të një video të publikuar në Facebook, PD thotë se për fat të mirë në protestë nuk u derdh gjak siç ishte planifikuar, ndërsa shton se Berisha dhe banda e tij dështuan me turp, pasi u braktisën nga demokratët.
“Për fat të mirë në 8 janar nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshironte dhe kishte planifikuar Berisha me një grusht kriminelësh. Ai personalisht e ndolli dhe frymëzoi vetë dhunën për javë me radhë, që kur deklaroi se PD nuk meritonte të ekzistojë nëse nuk e mbronte atë pas shpalljes nongrata për korrupsion. Por Berisha dhe banda që ai mblodhi dhe përzgjodhi me kujdes, dështuan me turp sepse demokratët i braktisën. Ai nuk mban më dot peng as PD-në dhe as Shqipërinë. Mbi rrënojat e dhunës së tij, PD po ngrihet çliruar nga makthi dhe dhuna e së shkuarës, dhe e vendosur për tu ofruar gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë”, shkruan PD.
Ditën e sotme Berisha do të dëshmojë në prokurorinë e Tiranës lidhur me protestën e 8 janarit ku mbështetësit e tij dhunuan selinë e PD, ndërsa Basha do të pyetet nesër.