34 personat e arrestuar në protestën e 8 janarit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, do të dalin ditën e stome para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest në shtëpie” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë blu.
Po ashtu, mësohet se për 30 të tjerë është kërkuar “detyrim paraqitjeje”. Të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, për të verifikuar personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë.
34 persona u vunë në pranga për protestën që shkatërroi godinën e selisë blu, ndërsa 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Mes tyre është edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka.