Ish-kryeministri Berisha ka reaguar në një status në rrjetin social “Facebook” i cili ka thënë se parlamenti falsifikoi kalendarin 3-javor të punimeve pasi fillimisht nuk ishte shkruar që drafti kushtetues i reformës në drejtësi të ishte pjesë e tij, por u shtua pas miratimit nga palët.
Berisha: “Parlamenti i vrasësve, trafikantëve, hajnave, përdhunuesve, më së fundi falsifikon kalendarin e tij! Të dashur miq, në një akt banditesk të pashembullt në historinë 25-vjeçare të parlamentit pluralist shqiptar por ndofta dhe në historinë parlamentare botërore, parlamenti i vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve, kusarëve të shtetit falsifikoi dje me urdhër të Edvin Kristaq Ramës kalendarin e punimeve të tij. Kështu, “madam Lokomotiva” futi në kalendar, me urdhër të neo-bllokmenit Edi Rama, pa diskutuar në byronë e parlamentit, ligjin për ndryshimet kushtetuese sikur gjoja kjo ishte miratuar me konsensus. Ndërkohë që në materialin e shpërndarë byrosë para mbledhjes nuk thuhej asnjë fjalë për këtë ligj. Ky është një krim i shëmtuar që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë me parlamentin vrasësit, kusarët e shtetit, trafikantët dhe përdhunuesit dhe pengmarrësit në parlament. Ky është një akt që tregon fytyrën e vërtetë të Edvin Kristaq Ramës, i cili duhet të marre përgjigjen e merituar! sb”, shkruan Berisha. Dje burime nga kuvendit deklaruan se reforma në drejtësi është futur në kalendarin e punimeve në unanimitet, por më pas PD reagoi duke deklaruar se kalendari ishte falsifikuar.