Gjendja në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë ashpërsohet. Pas disa kalimeve kufitare, Polonia detyroi të kthehen qindra migrantë në Bjellorusi. Sipas të dhënave nga Polonia është shtuar numri i refugjatëve në kufi në 24 orët e fundit. “Gjendja nuk është e qetë”, tha ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak. Grupe migrantësh përpiqen në të njëjtën kohë të “sulmojnë” kufirin polak. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e akuzoi Bjellorusinë për “terrorizëm shtetëror” të mërkurën. E ngarkuara e OKB për refugjatët, Michele Bachelet e cilësoi situatën në kufi si “të padurueshme”.
BE akuzon Bjellorusinë: Po përdor “taktika prej gangsterësh”
Propozimi më i pazakontë për gjendjen në kufirin polak-bjellorus erdhi nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov të martën. Pse BE nuk do t’i japë “ndihmë financiare” Bjellorusisë për të penguar refugjatët që të shkojnë drejt kufirit me Poloninë, tha Lavrov. Këtë e ka bërë edhe në marrëveshjen e saj me Turqinë. Eurodeputeti konservator Markus Ferber e komentoi këtë me fjalët, se “Erdogani ishte shpikësi i kësaj strategjie johumane, kurse Lukashenko po përpiqet të bëjë një model “franchise”. Në kufijtë e jashtëm polakë do vendoset tani, nëse këto përpjekje për presion do të bëhen rrugë.”
Polonia forcon angazhimin politik
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki pas vizitës në zonën kufitare të Kuznicës, ku të martën u mbyll kufiri, ai shkroi në twitter. “Sot po vihet në rrezik stabiliteti dhe siguria e të gjithë BE. Ky sulm hibrid nga regjimi i Lukashenkos drejtohet kundër nesh. Ne nuk do të trembemi dhe do të mbrojmë paqen në Europë me partnerët tanë në NATO dhe BE.”
Ministria e Mbrojtjes në Minsk u kundërpërgjigj dhe i quajti akuzat “ta pabazuara dhe të paprovuara” dhe akuzoi Poloninë se po i rrit qëllimisht tensionet. Të mërkurën Minsku fajësoi BE se e ka provokuar krizën e refugjatëve për të vendosur sanksione të reja kundër Minskut. “Kriza e refugjatëve u provokua nga vetë BE dhe shtetet fqinje të Bjellorusisë”, tha ministri i Jashtëm bjellorus Vladimir Makei gjatë vizitës në Moskë të mërkurën.
NATO dënon Lukashenkon
Presidenti polak, Andrzej Duda kërkoi ndërkohë mbështetje tek Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai tha në një intervistë për Deutsche Wellen, se NATO është solidare me Poloninë. “Ajo që po ndodh aty është një fushatë e papranueshme nga ana e regjimit të Lukashenkos. Për këtë nuk ka dyshime. Mesazhi i Moskës dhe Minskut për këtë ‘problem humanitar’, se Polonia nuk po vepron në mënyrë humane është më shumë se hipokrit dhe cinik, sepse natyrisht ata e kanë krijuar fillimisht (këtë situatë).”
Sipas diplomatëve ideja e Polonisë është që të angazhohen më shumë anëtarë të aleancës për këtë krizë dhe të ushtrojnë presion ndaj vendeve në Lindjen e Afërt, ndryshe ajo rrezikon të shkallëzohet. Polonia nuk kërkon, sipas diplomatëve, ushtarë të NATO-s në kufi. Më së shumti ajo mund të drejtojë lutjen për një mision ndërkombëtar policie në këtë zonë. Vetë Polonia ka dërguar më shumë se 10.000 ushtarë në zonën e rrethuar për të penguar kalimin e refugjatëve. Sipas të dhënave të Varshavës janë 12.000-15.000 migrantë të grumbulluar në anën bjelloruse. Vëzhgues nga BE bëjnë fjalë për rreth 4000 refugjatë në rajon, shifra është shumë e vështirë të verifikohet.
BE kërkon sanksione të reja
Në verë BE vendosi sanksionet e fundit kundër regjimit të Lukashenkos, pasi një avion civil i Ryanair u detyrua për një ulje të detyruar, ku në bord ishte një kritik i njohur i regjimit. Sanksionet e atëhershme u vendosën kundër anëtarëve të qeverisë, zyrtarëve bjellorusë duke u ndaluar udhëtimet apo duke bllokuar xhirollogaritë e tyre, por u vendosën edhe sanksione ekonomike duke bllokuar eksportet bjelloruse.
Tani BE ka hequr lehtësimet për viza për zyrtarët dhe anëtarët e qeverisë bjelloruse. Përveç kësaj po zhvillohen konsultime për sanksione të tjera kundër personave apo organizatave, që janë të përfshira në kontrabandimin e migrantëve. Si për shembull agjenci udhëtimi, shoqëri fluturimi, si psh shoqëria Belavia, që pas sanksioneve nuk do mund të fluturonte më në BE.
“Unë bëj thirrje për sanksione të zgjeruara edhe sanksione të mundshme ndaj shoqërive të treta të fluturimit”, deklaroi presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Sipas një zëdhënësi të Komisionit Europian, BE po shqyrton mundësitë e mbledh faktet duke analizuar psh fluturimet nga Maroku, Siria, Irani, Katari dhe vende të tjera të Lindjes së Afërt e të Mesme për të parë se si kontrabandohen refugjatët në Bjellorusi. Nga ana tjetër penalizimet e shoqërive të fluturimit duhet të kenë bazë të sigurtë ligjore, duhet të provohet, që ato kanë vepruar me qëllim. Të mërkurën ambasadorët e BE u konsultohen për këto masa, dhe vendosën krietere të zgjeruara sanksionesh, të cilat do të vendosen si paketë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të hënën e ardhshme.
Europianët duhet të veprojnë, por si?
Ministri i Brendshëm në detyrë i Gjermanisë, Horst Seehofer është shprehur, se BE duhet të veprojë tani që të ndihmojë Poloninë në sigurimin e kufijve. Por Polonia e ka refuzuar deri tani ofertën e ndihmës së Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, me argumentin se ka policë e ushtarë në mënyrë të mjaftueshme. Kritikët thonë, se Varshava nuk do të vëzhgohet në veprimet e saj në zonën e rrethuar kufitare, sepse ka raportime për kthime të detyruara. Kritika për mospërzierjen e BE për zhvillimet në kufijtë e jashtëm vijnë nga Të Gjelbrit gjermanë, që po negociojnë për qeverinë e re. Zëdhënësja e grupit parlamentar, Katrin Göring-Eckardt tha se duhet t’i thuhet “jo kthimeve jodinjitoze”.
Marrë nga DW