BalkanWeb sjell të tjera pamje nga aksioni i policisë pranë “Shkollës së Bashkuar”, në Tiranë, ku Forcat Speciale e shtrinë në tokë gazetarin e News24, Ergys Gjençaj, pasi filmoi operacionin.
Në pamjet e reja që sjell “BalkanWeb”, shihet momenti, kur gazetarët po filmojnë policët e maskuar dhe me armë, të cilët i kërkojnë një mjeti luksoz të hapë derën, por shoferi shtyp gazin dhe largohet, duke rrezikuar jetën e tyre. Menjëherë pas largimit të mjetit luksoz, policia i sulet gazetarëve të News24 dhe BalkanWeb, Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala.
Efektivët i marrin celularin dhe shtrijnë në tokë gazetarin Gjençaj, ndërsa ndërhyn gazetarja Klodiana Lala. Në video dëgjohet kjo e fundit, teksa iu thotë policëve se Gjençaj është gazetar dhe duhet ta lënë të lirë.
Natyrisht, policia kriminelin për të cilin dolin në rrugë nuk e kapi, por gazetarët i shtriu në tokë.
Pjesë nga debati i gazetares Lala me efektivin:
Klodiana Lala: O zotëri, jemi gazetarë.
Klodiana Lala: Është kolegu im ai zotëri.
Efektivi: Mos u afro, hera e parë dhe e fundit që afrohesh, se do quhesh bashkëpunëtore, lëre tani. Zhduku!
Klodiana Lala: Është kolegu im o vëlla, si e shtrini në tokë? Lëre kolegun tim, ç’punë ke ti?
Efektivi: Keni ardhur në momentin e ndërhyrjes. Vini na pengoni.