Nga muaji maj 1919 deri tetor 1922, u zhvillua një luftë e ashpër midis Greqisë dhe Lëvizjes Kombëtare Turke që udhëhiqej nga Mustafa Ataturku. Grekët e ndërmorrën këtë luftë të shtyrë nga Aleatët Perëndimorë; kryeministri i Anglisë Lloyd George i kishte premtuar Greqisë Anatolinë që kishte qenë pjesë e Perandorisë Bizantine para pushtimit osman; forcat greke u hodhën në Smyrna (Izmiri i sotëm) më 15 maj 1919 dhe morëm nën kontroll pjesën P dhe VP të Anatolisë, qytetet Manisa, Balikesir, Aydin, Kütahya, Bursa dhe Eskishehir.
Grekët u thyen në vitin 1921 nga në Betejen e Sakarias nga Ataturku; lufta mbaroi më 1922 me rimarrjen Izmirit nga turqit. Grekët u rikthyen në kufijtë e paraluftës duke i lënë Turqisë Thrakën Lindore dhe Anatolinë Perëndimore. Pas luftës palët nënshkruan midis tyre traktatin e Lozanës; traktati u nënshkrua më 30 janar 1923 nga Ismet Inony; Greqia njihte pavarësinë e Republikës Turke dhe sovranitetin e saj në Anadoll, Stamboll dhe Thrakën Lindore. Traktati shënonte shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” e Greqisë.
Tre ditë më pas qeveria shqiptare vendosi marrëdhënie me qeverinë Greke; më 3 shkurt 1923, Ministri i jashtëm Pandeli Evangjeli njoftoi Ministrin e jashtëm grek për emërimin e Mit’hat Frashërit, ministër Fuqiplotë në Greqi. Mit’hati dëgohej në Athinë si “I Dërguar me Mision Special për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë”. Emërimi i Mit’hatit Ministër Fuqiplotë në Athinë qe i menduar mirë nga qeveria shqiptare. Mit’hati ishte personaliteti qe plotësonte kërkesat për emërim në një detyrë kaq delikate si Minister Fuqi-Plotë në Greqi; Mit’hati njihte mirë krimet që kishin kryer grekët në jugë në vitet 1913-1914, ai njihte mirë historinë gjuhën dhe letërsinë greke, ai njihte mirë një varg gjuhësh të huaja italisht, frengjisht, gjermanisht, anglisht); Mit’hati kishte përpaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, ai kishte botuar një varg artikujsh në revista të ndryshme europianë për Shqipërinë.
Emrimi i Mit’hat Frashërit Ministër Fuqiplotë në Greqi u përshëndet njëzëri nga rinia shqiptare, vlerësime për emërimin e tij dhanë Gazetat “Dielli”, “Politika”, “Shqiptari i Amerikës” si dhe gazetat greke Gazetat “Nea Imera” dhe “Embros”.
Mit’hati shkoi në Athinë me dëshirën dhe vullnetin e plotë për vendosjen e marrëdhënie midis dy vendeve, forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit midis tyre. Këtë dëshirë Mit’hat Frashëri e shprehu që në takimin e parë me Ministrin e Jashtëm Grek.
“Idetë e luftës tani u zhduken – i tha Mit’hati atij – tani është koha për të punuar për prosperitetin material të Ballkani”.
Mit’hati besonte se një predispozitë të tillë do të gjente edhe tek autoritete greke, Mbreti, Kryeministri, ministri i Jashtëm, por koha tregoi të kundërtën! Autoritetet greke nuk ishin te interesuar të kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë, greket filluan të dëbonin në Anadoll shqiptarë myslimane të vendosur në trojet e tyre në Greqi. Grekët ishin të interesuar t’u rrëmbenin shqiptarëve myslimanë shtëpitë dhe pronat e tyre. Mit’hati informoi menjëherë Tiranën për dëbimin e shqiptarëve myslimanë në Anadoll:
Prefekti i Janinës – njoftonte Mid’hati – kishte botuar në qarkore, se çamët myslimanë do të shkëmbeheshin me grekët që do të ktheheshin si refugjatë nga Turqia. Mit’hati njoftoi po ashtu Tiranën se deputeti grek Bakëllbashi, kishte deklaruar në gazetë se do të shkonte në Epir për të sistemuar refugjatet grekë që do të ktheheshin në Greqi. Mit’hati njoftonte Ministrin Shqiptar, se keto ishin qëndrime të qeverisë greke për dëbimin me dhunë të popullsisë myslimane të Epirit; autoritet greke – shkruante ai – po vendosnin me dhunë në tokat dhe shtëpitë e shqiptarve myslimanë refugjate greke që po ktheheshin si refugjatë nga Anadolli.
Këtë qëndrim, Mit’hat Frashëri e konstatoi tek Kryeministri Venizellos. Duke i relatuar Tiranës zyrtarr takimin me të, Mit’hati i shkruan 25 janar 1924 se: “Megjithë fjalët e ëmbla, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dolla nga kjo pjekje me konviktimin (bindjen-red), se Venizellua ka vendosur të shpëtojë prej shqiptarëve, duke i përzënë dhe duke u grabitur pasurinë”.
Një qëndrim të tillë të palës greke e kishin kuptuar edhe përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Athinë. “Grekët e dinë mirë kush janë turq dhe kush janë shqiptarë -i kishte thënë Mit’hatit ambasadori francez – por ata duan të grabisin pasurinë e shqiptarëve, prandaj duan t’i përzënë. Venizello – kishte shtuar ambasadori në fjalë – nuk është më pak grek se grekët e tjerë”.
Qëndrimi i autoriteteve greke për dëbimin me dhunë në Anadoll, kishte shqetësuar shumë shqiptarët e besimit mysliman. Një përfaqësi e popullsisë çame kishte takuar ministrin e jashtëm dhe Kryeministrin Grek por nuk kishin marrë asnjë përgjigje se çfarë do të bëhej me ta. Një peticion i nënshkruar nga 130 vetë nga Filati u dërgua në korrik të atij viti qeverisë në Athinë ku ata deklaronin se nuk donin të iknin nga vendi si turq. Po kështu, 173 vetë nga Ajdonati kishin shkuar në Athinë për të takuar komisionin turk….Më mars (1924) Mit’hati njoftonte Tiranën zyrtare se kishin ardhur në Athinë gjashtë përfaqësi nga Çamëria për tu interesuar për problemin e tyre.
Me dhjetra telegrame ishin dërguar po ashtu tek autoritetet greke në emër të popullsisë së Filatit, Margëlliçit, Ajdonatit.
“Në emër të shqiptarëve të Maqedonisë” kishte ardhur një përfaqësi e banorëve nga Selaniku në Athinë, ku kishin ndenjur katër muaj me radhë për t’u interesuar për fatin e tyre.
Në korrik të vitit 1923, Mit’at Frashëri njoftonte Tiranën se autoritetet greke kishin konfiskuar pronat e shqiptarëve të tërë fshatrave duke i konsideruar shqiptarët si turq. Për të kandisur çamet myslimane per të ikur në Turqi, autoritetet greke kishin bërë për vete klerin mysliman, hoxhallarët dhe myftinjtë shqiptarë.
Më 31 tetor 1923, 22 përfaqësues të qyteteve të Çamërisë, të Margëlliçit, Filatit, Paramithisë, Gumenicësi kërkonin qeverisë shqiptare të ndërhynte pranë qeverisë turke për të mos pranuar në Turqi shqiptarë të mashtruar nga klerikë të tillë. Në Janar 1924, Mit’hati njoftonte se në Arpicë autoritete greke kishin strehuar më tepër se 100 familje greke të Anadollit: “Muhaxhirët (grekët e kthyer nga Turqia) – shkruan ai – mbledhnin tani “për hesap të tyre vallanidhën, fiqtë, ullinjtë, zarzavatet, prisnin drurët dhe pemët; zotërit e shtëpivet (dmth çamët myslimane- red) nuk kanë asnjë prodhim. Disa arpiciotë kanë dashur të ndalojnë grabitjen e refugjatëve, po qeveria kishte arrestuar pesë vetë, të cilët i dërgoi në Margëlliç, në Pargë, dhe Prevezë nga burgu në burg për 15 ditë”.
Mit’hati njoftoi Tiranën se autoritetet po përdornin Hajdutë dhe kriminelë të njohur per të detyruar shqiptarët të largoheshin në Anadoll. “Hajduti Çile Mastora me shokun e tij Kiamo- njoftonte Mit’hati në maj të vitit 1924 – po terrorizojnë sheshit katundet e Paramithisë me qëllim që të shtrëngojnë shqiptarët që të ikin dhe këtë e bëjnë para syve të autoriteteve greke”. Autoritetet nga ana e tyre arrestonin, burgosnin dhe keqtrajtonin burrat që kundërshtonin dëbimin në Anadoll.
Në prill të vitit 1924, Mit’hati njofton se ishin arrestuar Musa Demi, Haki Musa, Mehmet Zekeri etj; këta- shkruan ai – ishin arrestuar më 27 mars dhe ishin dërguar në burgun Janinës. “Autoritetet – shkruan Mit’hati- duan të terrorizojnë dhe të eliminojnë shqiptarët që ngulmojnë të qëndrojnë në Greqi”
Në mars 1924 Mit’hati njofton se: “Rrojtja e shqiptarëve në Greqi ishte bërë e pamundur. Si mund të jetojë njeriu kur shtëpinë i’a kanë marrë, kur drithin, bagëtinë, kafshët ia kanë rekuizuar, kur të huajt janë bërë zotër në arat dhe kopshtet e tij”?!
Përballë rrezikut të dëbimit në Anadoll, shqiptarët dërgonin peticione qeverisë greke ku shprehnin përkatësinë shqiptare dhe vullnetin e tyre për të qëndruar në tokat dhe pronat e veta, popullsia denonconte arrestimet dhe burgimet që bëheshin mbi përfaqësuesit shqiptarë. Në përpjekje për të gjetur mbështetje, popullsia shqiptare kërkoi mbrojtjen e shtetit amë. Popullsia çame vendosi lidhje ngushta me Mit’hat Frashërin dhe e informonte përgjithçka që ndodhte me komunitetin e tyre. Shqiptarët e sinjalizonin për dhunën e ushtruar nga autoritetet greke, xhandarmëria dhe policia.
Mbi bazën e informacionëve të marrë nga popullsia Mit’hat Frashëri kreu takime me autoritetet greke, Ministrin e Jashtëm dhe kryeministrin grek: ai kërkoi prej tyre të respektoheshin aktet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve myslimanë në Greqi. Mit’hadi kishte dorëzuar 200 NOTA Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, për qëndrimin ndaj shqiptarëve myslimanë në Greqi. Sipas Mit’hatit Ministria e Jashtme në Shqipëri dispononte një “dosar të plotë te çështjes çame, të politikës së përdorur nga autoritetet greke”për dëbimin e shqiptarëve në Anadoll, grabitjen e pronave dhe pasurive të tyre.
Përballë qëndrimit të autoriteteve greke për dëbimin me dhunë të shqiptarëve në Anadoll, Mit’hati i sygjeroi qeverisë shqiptarë të denonconte grekët në gjyqin e Hagës për krime kundër
popullsisë shqiptare. Ai sygjeronte se duhej bërë edhe memorandum në Konferencën e Ambasadorëve ose në Gjykatën e Hagës për të kërkuar ç’dëmtim nga Greqia për 300 katundet e shkretuara prej saj më 1914. Një memorandum i tillë sygjeronte ai duhej paraqitur edhe kundër Serbisë për 200 fshatrat e djegura dhe të rrënuara prej tyre në vitet 1920 dhe 1921”.
Sipas tij hedhia e Serbisë dhe e Greqisë në tribunalin e Hagës duhej bërë për mbrojtjen e interesave shtetërore. Mit’hati gjykonte se duhej bërë edhe një fushatë shtypi “për të ndritur opinionin e vetë shqiptarëve dhe kombeve të qytetëruara” se çfarë po ndodhte më shqiptarët myslimanë të Epirit. Këtë mendim
Ministri ynë i’a sygjeroi Tiranës zyrtare më 23 mars 1925. Sipas tij kjo duhej bërë për “të pasur në dorë një armë për të luftuar pretendimet e reja të fqinjve tanë”.
Ai i u kthye në këtë sygjerime sepse po konstatonte se grekët dhe serbët po shtonin çdo ditë pretendime mbi tokat shqiptare; ata kishin tendencë ta shihnin Shqipërinë si një provincë jugosllave ose greke, e cila sot ose nesër ishte e destinuar të bashkohej “me trupin e madh helenik e serb”. Sipas Mit’hatit popullsia shqiptaret e dëbuar në Anadoll ishte katandisur në një gjëndje tepër të vështirë, një pjesë e mirë po vdiste nga urija dhe kushtet e rënda të jetesës…! Përballë kësaj situate, Mit’hati sygjeroj në janar të vitit 1924, autoriteteve shqiptare sistemimi e çamve në Shqipëri dhe dëbimin në Greqi të minoritetit grek që jetonte në Shqipëri, por shteti shqiptar nuk i pa me vend qëndrime të tij.
Përpjekjet e Mit’hat Frashërit si Ministër Fuqi-Plotë në Athinë për të ndaluar autoritetet greke të dëbonin me dhunë popullsinë shqiptare më Turqi rezultuan të pasuksesshme. Duke bërë bilancin e situatës së krijuar ministri ynë Fuqi-Plotë në Athinë vinte në dukje për Ministrin shqiptar se: “Më 1922 në Greqi kishte pasur 100.000 shqiptarë myslimanë…autoritetet greke kishin arritur të dëbonin 35.000 nga Prefektura e Kosturit dhe e Follorinës dhe 20 mijë nga Janina, Preveza, Parga”.
Në shtator 1925, Mit’hati njofton Tiranën se “politika helenike” për dëbimin e elementit mysliman nga Epiri dhe Maqedonia kishte nisur “që të nesërmen e luftës ballkanike”. Kjo politikë zbatohej “me anën e çetave të hajdutëve, dhe sjelljes autoriteteve civile dhe ushtarake”. Kjo politikë mori një ngjyrë të re pas motit 1920. Lidhur me këtë ai shkruan:
- U përzunë me dru dhe të rrahur prej gjendarmërisë greke 35.000 shqiptarë të Follorinës dhe të Kosturit.
- Në kundërshtim me deklaraten e delegati grek në Lozanë, z. Calcamanos, në janar 1922 u përzunë me pahir dhe me dru:
- Tërë shqiptarët e Prevezës.
- Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Konicës.
- Një shumicë e shqiptarëve të vetë Çamërisë.
- Shqiptarët myslimanë në Epir ose Maqedoni s’kanë të drejtë as të shesin as të japin me qera as të marrin të hollat nga pasuris e tyre.
- Asnjë shtëpi nuk ka mbetur e lirë: (greket) kudo kanë kallur me pahir refugjatë duke hedhur rrugëve të zotët e shtëpive. Shumë shtëpi rrinë të zbrazura, refugjatët qeveria greke i instalon në shtëpitë e shqiptarëve.
- Refugjatët me lejen e autoriteteve grabisin pasurinë kopshtet, ullinjtë, fiqtë, vreshtat, dhe drithërat e shqiptarëve.
- Pasuria e grabitur gjer më sot arrin vlerën 2.700.000 napolona ar.
- Dyert e drejtësisë janë të mbyllura për shqiptarët, të rrahurit, të grabiturit, të burgosurit, janë buka e përditëshme për to.
Qëllimi i këtyre sjelljeve është të shtërngohen shqiptarët të ikin nga Greqia dhe ta grabitet pasuria e tyre.
- Shqiptarët në Greqi s’kanë .
⁃ të drejtë votimi
⁃ s’kanë deputetë
⁃ s’kanë të drejta për shkolla
- Xhamitë dhe Teqetë e bektashinjve janë konfiskuar prej qeverisë.
Mit’hati pati përplasje me ministrin e tij për mosreagimin e duhur të qeverisë ndaj autoriteteve greke. Ai la detyrën si ministër Fuqiplotë dhe tërhoq në punën e tij si botues dhe pronar i librarisë “Lumo Skëndo”, por ai nuk e harroj kurrë dramën e madhe që po ndodhte me fatin e çamëve në Greqi.
(AQSH, f.251 v.1923, d. 138, f.2.)
Me rastin e emërimit Ministër Fuqi-Plotë në Athinë, Mit’hati mori një telegram urimi nga Halim Xhelo dhe të rinj të tjerë shqiptarë. Në telegram shkruhej: “…Ne të rinjtë ose Brezi i Ri, jemi gëzuar për emërimin T’uaj si Ambasador i Shtetit Shqiptar, i atij kombi, që pak vjet me parë dëshironim t’i shihnim flamurin të valonte mbi ndonjë gërxhë, e sot e shohim të valojë…………….nëpër kryeqytete te kombeve, që na kanë luftu sistematikisht e tërbimërisht. Ju, më tepër se Ambasador do të jeni burimi i përhapjes së ndjenjave kombëtare ndër nxënësit dhe studentët shqiptarë, që ndodhen aty, të cilët, të helmuar me ëndërrat hellene janë gabuar, e tash ju do t’i përmblidhni në gjirin tuaj e do t’i ndritoni, tue iu xhveshur ndjenjat e huaja. Zotërinjë që ju dorëzojnë letrën tonë janë nga Vunoi dhe quhen Gogo Pilo Zane e Sofo Kristo Çomora, të cilët do t’i kini nxënësit e parë të idealit t’uaj.
- Jorgo Meksi të fala. Pranoni të falat t’ona të nxehta.
Miqtë tuaj Kleanth Spiro, Halim Xhelo”
(L. Malltezi – Sh. Delvina. Mid’hat Frashëri. Çështja Çame. Tiranë, 2013, f.398). /memorie.al