Kryetari i Kuvendit mbështet propozimet e 48 partive të vogla për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Sot 48 partitë e vogla ju drejtuan Kuvendit të Shqipërisë me një nismë ligjore për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe Nard Ndoka, përfaqësues të partive parlamentare dhe jo-parlamentare, u pritën nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
Deputetët prezantuan nismën e tyre e cila synon harmonizmin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me legjislacionin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se mbështet plotësisht përshpejtimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Për këtë qëllim i është kërkuar zyrtarisht Misionit ODIHR dhe Komisionit të Venecias që të ofrojnë kontributin e tyre për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.