Nga Artan Gjyzel Hasani
Atdheu është një shaka e hidhur
që bënë me ty, kur ishe e vogël…
e kishin fjalën për Atdheun e tyre
dhe kur u rrite e kuptove që Atdheu yt
ishte një gënjeshtër…
Atdheu është një ndërtim pa leje
i shqyer dyersh e kanatash…
Atdheu është Kullë e Babelit
që shembet e ngrihet përditë
gjithmonë nga një më i fortë se ty
që mbi Mëmëdheun tënd Përdhes
do të ndërtojë
Atdheun e tij 100 katësh…
nga lartësia e tij
ti nuk do të dukesh fare,
por, kur mos të kesh tjetër rrugë
rritu
rritu
rritu
bëju më i madh se këpuca e tij
dhe kjo është e vetmja zgjidhje…