Deri në fund të marsit 2016 ARMO kishte 595 milionë dollarë borxhe
Tani kompanitë e përmbarimit po shesin edhe mjetet dhe pajisjet më të thjeshta të punës për llogari të debitorëve të rafinerisë ARMO-s. Në ankand janë nxjerrë edhe objekte të imta të rafinerisë së ARMO me vlerë jo më shumë se 30 mijë euro. Tashmë përmbarimi po shet gjeneratorët, siguesat, tubat e hekurit, celesa sigurie, fiske zjarri, tuba kaldaje te kompanisë ARMO me vlera modeste. Por edhe ky ankand deri më tani ka dështuar.
Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjësit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh. Nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Pak javë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja erdhi pasi Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera. Nga ana tjetër, punonjësit e ARMO-s prej ditësh janë në protesta pasi kanë gati një vit pa marrë pagat. ARMO është kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60 për qind të huave me probleme në vend.