Procedura do hapet për një sipërfaqe 101 hektarë
Ministria e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes ka filluar marketimin me investitorë vendas e të huaj për dhënien me koncesion të Zonës Industriale të Spitallës. Në tenderin e dytë subjektet e interesuara do të garojnë për një sipërfaqe 101 hektarë, e jo më me 500 hektarë si në tenderin e disa muajve më parë. Drejtues e ministrisë kanë thënë se brenda muajit qershor, ose në fillim të korrikut do fillojë procedura për garën që do të jetë pak më e gjatë se e para. “Nëse në procedurën e parë u la 60 ditë, procedura këtë herë do të jetë më e gjatë, që investitori të ketë kohë të përgatisë studimin. Për të marrë pjesë në një konkurim duhen disa studime që duhet të paraqesi zhvilluesi ose investitori i huaj për të fituar këtë garë”, thonë drejtues të ministrisë së ekonomisë.
Pas dështimit në tenderin e parë qeveria shpalli një zone teknologjike të re me sipërfaqe 199.7 hektarë dhe si fazë e parë është vendosur të bëhet procedura për 101.4 hektarë.