Gjatë vitit 2015 numri i kreditorëve është rritur me 10 për qind
Tetëmbëdhjetë për qind e shqiptarëve kanë të paktën një kredi bankare aktive. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i shqiptarëve kredimarrës në fund të vitit 2015 ishte mbi 527 mijë. Numri i shqiptarëve që kanë marrë kredi u rrit me 10% gjatë vitit 2015, shifër kjo që tregon se, megjithë rritjen e dobët të sasisë së kredisë, numri i kredimarrësve është në rritje të ndjeshme. Në total, janë rreth 808 mijë kredi aktive që qytetarët e Shqipërisë kanë në sistemin bankar, shifër kjo afro 17% më e lartë krahasuar me vitin 2014. Raporti mes kredive aktive dhe kredimarrësve është afërsisht 1.5, çka tregon se shumë individë kanë më shumë se një kredi në sistemin bankar. Rritja e numrit të kredimarrësve dhe e kredive dëshmon se kreditimi i ekonomisë po zgjerohet në segmentin e individëve, aty ku potencialet e rritjes janë më të larta. Me sa duket, kjo nuk reflektohet shumë në vlerat totale të kreditimit të ekonomisë, sepse këto kredi kanë vlera mesatarisht të ulëta. Por, rritja e numrit të individëve që marrin kredi është një zhvillim pozitiv, që tregon kulturë financiare në zhvillim dhe akses në rritje të publikut në sistemin financiar.