Zv.ambasadori i OSBE-së flet për reformën zgjedhore si faktori përcaktues për demokracinë në Shqipëri
“Nëse në Shqipëri do të zbatoheshin të gjitha ligjet, Shqipëria do të ishte një lloj parajse. Ligji pa zbatim është mashtrim”, ka thënë zvambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton. I pranishëm në tryezën për reformën zgjedhore, ku bënin pjesë krerët e mazhorancës dhe opozitës, Willton theksoi dobësitë me të cilat përballet procesi zgjedhor. Sipas tij, proceset zgjedhore të kryera deri tani kanë mangësi të mëdha të cilat e kanë vënë në dyshim demokracinë në Shqipëri
“Përgjatë viteve, raportet e OSBE/ODIHR-it kanë theksuar se vijon të ketë pretendime për blerjen e votës; se kuadri ligjor nuk ofron transparencë të mjaftueshme rreth fondeve të fushatës; se ndaj punonjësve të sektorit publik ushtrohet presion për të marrë pjesë në fushata, apo për të votuar në një mënyrë të caktuar; se ka nevojë të rritet paanshmëria e komisioneve zgjedhore; se ndikimi politik pengon pavarësinë redaksionale të mediave dhe se për gratë kandidate ka shumë pak mbulim mediatik. Disa prej këtyre praktikave janë të padrejta; disa të tjera janë thjesht korruptive. Me vetëm një pikë dyshimi në zgjedhje vihen në dyshim të tëra zgjedhjet dhe vihet në dyshim vetë demokracia. Ka ardhur koha për të trajtuar këto shqetësime përmes procesit të reformës zgjedhore.
Legjislacioni shqiptar tashmë i ka kthyer disa praktika zgjedhore korruptive në vepra penale, por fjala kyçe mbetet zbatimi. Ligji të bëhet i zbatueshëm, pa përjashtime. Nëse në Shqipëri do të zbatoheshin të gjitha ligjet, Shqipëria do të ishte një lloj parajse. Ligji pa zbatim është mashtrim. Ligji pa zbatim është i kotë.
Nevoja për një reformë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe të shpejtë është e padiskutueshme. Demokracia juaj ose shërohet ose vdes këtu”, tha Wilton.