Korrupsioni zgjedhor si pengesë për zgjedhje të lira, pika për të cilën bien dakord të gjitha palët
Krerët e mazhorancës, Edi Rama e Ilir Meta bashkë me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ishin sot në tryezën për reformën zgjedhore organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama trajtoi problematikën me të cilën janë hasur proceset zgjedhore, por u përpoq të cilësontë si më të mirin atë të 21 qershorit, proces i organizuar nga mazhoranca që ai drejton. Megjithatë, Rama foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me opozitën për këtë reformë.
“Në këtë reformë jemi të interesuar që të trajtojmë sëbashku me palët e tjera problematikën në terësi pa imponuar asgjë. Por megjithatë diskutimi në këtë pikë do ja vlente. Doja të nënvizoja dhe domosdoshmërinë për të adresuar në mënyrë më të qartë edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, që krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme por mbetet shqetësim sidomos në zonat më të varfra dhe rastet kur prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo klanit”, tha Rama.
Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, u përqëndrua tek korrupsioni zgjedhor ku theksoi se lidhja e krimit me politikën është problem më i madh dhe më unik i korrupsionit zgjedhor. “Kjo tryezë dhe hapat që do të hedhin pas kësaj janë vendimtare nëse konfirmohet vullneti politik për të shkuar më tej se gërma e ligjit, për të pastruar listat e ardhshme nga persona të inkrimuar. Është emergjente të nisim me korrupsionin zgjedhor , të japim një zgjidhje radikale të qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha Basha.
Kryetari i LSI-së Ilir Meta, deklaroi se reforma zgjedhore do të jetësojë ligjin e dekriminalizimit për kandidatët. Kryeparlamentari deklaroi gjithashtu se reforma zgjedhore do të nisë menjëherë duke mbledhur komisionin e posaçëm në kuvend, pas dy ditësh në seancën e ardhëshme parlamentare.