Spektatorët reagojnë kundër elitës politike. Ambasadori i OSBE-së Raunig: Ky ishte qëllimi
Është kthyer në protestë një shfaqje teatrale në në teatrin “Skampa” në Elbasan. Shfaqja i kushtohej pasojave të diktaturës me titull “Ata hynë pa trokitur”, nën drejtimin e Armand Borës dhe aktorëve protagonistë Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Aktiviteti mbështetej nga prezenca e OSBE në Elbasan.
Por shfaqja ka përfunduar me reagim proteste të disa personave në sallë. Sipas infoelbasani.al në fund të aktivitetit disa persona kanë vlerësuar mesazhin e përcjellë nga shfaqja, por janë shprehur mjaft të revoltuar me situatën e tanishme.
Sipas tyre mesazhi është kuptimplotë, por ai nuk ka vlerë sepse në Shqipëri është instaluar klika komuniste e cila po e shtyp dhe po e rrjep popullin dhe të ish-persekutuarit po vazhdojnë të persekutohen.
“E gjitha kjo është një hipokrizi. Ata janë në pushtet dhe po na degjenerojnë çdo ditë”, u shpreh një spektator.
Është dashur ndërhyrja e aktorit Alfred Trebicka i cili ju drejtua spektatorëve të revoltuar se kjo ishte një shfaqje dhe se nuk duhet të ngatërrohet me politikën.
Ambasadori i OSBE Rauning që ishte pjesëmarrës në këtë takim deklaroi se ““pikërisht ky ishte qëllim i kësaj shfaqje që njerëzit të fillojnë të diskutojnë për të kaluarën madje dhe të kundërshtojnë”.