Nga Mehmet Elezi
Ministria e Kulturës po inventarizon pasuritë kulturore jomateriale. Drejt UNESCO-s do të shkojnë katër propozime: vallja e Tropojës, bjeshkimi dhe dijebërja e xhubletës. Rinis dhe dosja e Eposit. Kështu citon media një zëvendësministre.
Kumt i pakuptueshëm.
Ç’do të thotë “dijebërje”, “dijebërja e xhubletës”? Emri “dijebërje” s’ekziston në gjuhën shqipe.
As emri “bjeshkim” nuk përdoret në gjuhën shqipe.
Çfarë ka parasysh ministria jonë e dashur me këto fjalë që të kujtojnë “gjuhërenë” (newspeak-un) e Oruellit?
Kumt me informacion të pasaktë.
Thotë: “Kënga majekrahu është një prej elementeve… në zonën e Mbishkodrës”. Nuk është vetëm në “zonën e Mbishkodrës”. E kanë hapësira të gjera të Veriut Shqiptar, prej Hotit e Grudës, në Malësi të Gjakovës, Plavë, Guci e Rugovë.
Kumt me ngjyresë populiste.
Thotë: “Elementët do të përzgjidhen nga vetë komunitetet”. “Vetë komunitetet” nuk mund të bëjnë përzgjedhje shkencore. Shkencën e bëjnë specialistët, studiuesit.
Kumt me erë marketingu politik.
Në videon ilustruese shkruhet: “Ministria juaj e kulturës”. Ministritë janë institucione shtetërore, me emër të përcaktuar ligjërisht. Nuk janë shoqëri që u bëjnë publicitet lëngjeve që shesin “për ju”.
Të paktën formalisht, ministria duhet të jetë serioze. Xhubleta dhe kanga majëkrahu janë vlera origjinale, dëshmohen qysh prej ilirëve. Meritojnë trajtim serioz, jo siç u veprua me lahutën.
Me lahutën?
Më 2019 lahuta u regjistrua në UNESCO si vegël serbe. Mund të jetë edhe serbe, edhe filipinase. Por, çka s’kundërshtohet dot me argumente, lahuta është po aq shqiptare, ose para së gjithash shqiptare. Ministria e Kulturës nuk u ndie. Akademia e Shkencave nuk u ndie. Më e pakta, duhej të përgatisnin me urgjencë dosjen me argumente shkencore – ato nuk lypin mundim, janë të gatshme – që lahuta të regjistrohet edhe si pasuri shqiptare. Kaq.